Rektori i UBT-së në konferencën e Sistemeve të Informacionit dhe Inovacionit në Teknologji në Tiranë

12/06/2015

Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi mori pjesë në konferencën e Sistemeve të Informacionit dhe Inovacionit në Teknologji, e cila i zhvilloi punimet më 5 dhe 6 qershor në Tiranë.

 

Konferenca e gjashtë Ndërkombëtare, e titulluar “Information Systems and Technology Innovations: inducting Modern Business Solutions”, u organizua nga Departamenti i Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar (SMIZ) i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me UBT-në dhe me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

 

Kjo konferencë është një nga më të rëndësishmet që zhvillohet për kërkuesit, akademikët, përfaqësuesit e biznesit dhe studentët e degëve të ndryshme të fushës së Teknologjisë së Informacionit.

Në konferencë ishin të ftuar personalitete të larta, përfshirë zëvendëkryeministrin e Shqipërisë,  z. Niko Peleshi, Ministrin e Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harrito, Nënkryetarin e Akademisë së Shkencave, z. Gudar Beqiraj, Rektorin e Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, si dhe personalitete të huaja të shkencës nga universitete të Evropës dhe SHBA.

 

Konferencën e hapi Prof. Dr. Kozeta Sevrani, drejtoreshë e Departamentit të Statistikave dhe Informatikës së Zbatuarm që përshëndeti të gjithë të ftuarit. Më pas fjalën e morën Ministrja e Inovacionit Milena Harito, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Marlinda Karçanaj dhe Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencës, Gudar Beqiraj.

 

Konferenca i zhvilloi në disa panele: “Siguria e informacionit”, “Inxhinieria dhe rrjetet”, “Informatika Cloud dhe Teknologjitë mobile”, “Ekonomia dixhitale dhe e-shërbimet”, “Modelimi dhe Simulimi”, “Sistemet e informatizuara” e të tjera.

 

Rektori i UBT-së, Prof.Dr.Edmond Hajrizi, si dhe profesorë dhe ekspertë të tjerë nga UBT-ja, dhanë kontributin e tyre me diskutimet në temat e shtruara në konferencë.