Në UBT zhvilloi punimet konferenca “Free Market Road Show” – Diskutohen ngecjet dhe të arriturat e shteteve në 30 vitet e fundit

05/04/2019

Konferenca e përvitshme “Free Market Road Show”, ka mbledhur në UBT dhjetëra politikanë, profesorë dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të fushës së ekonomisë dhe tregtisë, të cilët trajtuan çështjen e lirisë së tregut dhe të shteteve 30 vite pas rënies së Murit të Berlinit, sfidat me të cilat po përballen shtetet në ndërtimin e lirisë së tregut, si dhe hapat që duhet të ndërmarrë Kosova për të ndërtuar lirinë.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, duke theksuar rëndësinë e madhe të lirisë, tha se as UBT, si nikoqir i kësaj konference botërore në Kosovë, nuk do të themelohej asnjëherë nëse nuk do të ekzistonte mundësia e lëvizjes së lirë dhe e shkëmbimit të praktikave të mira ndërshtetërore.

“Të gjitha të arriturat e UBT-së kanë ardhur vetëm sepse kemi liri, kemi të drejtë për të vepruar dhe për të krijuar institucione ndërmarrësie, si dhe bashkëpunime që kanë mundësuar shkëmbim të dijeve përtej kufijve shtetërorë, përndryshe do të mbeteshim të izoluar dhe të pazhvilluar”, vlerësoi Hajrizi.

Ministri i Drejtesisë, Abelard Tahiri tregoi hapat që kanë ndërmarrë ministria të cilën ai e udhëheqë për të larguar barrierat ligjore për zhvillim të tregtisë së lirë, por edhe sfidat më të cilat Kosova është përballur dhe po vazhdon të përballet në tejkalimin e fazës së tranzicionit.

“Kapacitetet e pamjaftueshme, mungesa e zbatimit të ligjit dhe paqartësitë e rrymave të mendimit, si pasojë e prezencës së shumë shkollave të mendimit, që nga periudha e UNMIK-ut, EULEX-it dhe brenda vetë institucioneve tona, i kanë kontribuuar zgjatjes së tranzicionit”, theksoi ministri Tahiri.

 

Ai deklaroi se Ministria e Drejtësisë ka filluar implementimin e agjendës “Drejtësia 2020”, përmes të cilës synohet që t’i jepet fund tranzicionit në sistemin e drejtësisë, e me këtë, sipas tij, edhe të rritet niveli i besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

 

Më temën “Liria në botë 30 vite pas rënies së murit”, anëtari i Qendrës Austriake për Ekonomi, Federico Fernandez trajtoi rastin e Venezuelës, si një shtet që ka dështuar në bërjen e politikave tregtare, kurse  ekspertët, John Chisholm dhe Thomas Bachheimer, të cilët treguan hapat konkretë që duhet ndërmarrë për ta bërë Kosovën një vend më të mirë dhe më të lirë për të gjithë, por edhe lindjen dhe ndryshimet që ka pësuar sundimi i ligjit ndër vite dhe në situata të ndryshme me të cilat është përballur bota.

 

Në sesionin përmbyllës të kësaj konference, njohësit e çështjeve ekonomike, Armend Muja, Adri Nurellari dhe Bardhyl Salihu, në fjalimet e tyre kanë trajtuar çështjet e përparimit dhe ngecjeve të shteteve, të shkaktuara nga tregtia e lirë, si dhe pasojat me të cilat është përballur Kosova nga vendimet e fundit ekonomike, pastaj edhe reformat që duhet bërë, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, mbrojtjen e pronës private, reformimi i sistemit tatimor dhe zbatimi i marrëveshjeve mes kompanive dhe individëve.

 

Free Market Road Show filloi në vitin 2008 dhe çdo vit mbledh ekonomistë të njohur, politikanë udhëheqës të shquar të biznesit , të cilët bëhen bashkë për të diskutuar probleme aktuale ekonomike dhe për të ofruar zgjidhje të mundshme në një sërë vendesh në Evropë dhe në Kaukaz.