Mbi 1000 pjesëmarrës dhe 400 punime shkencore pasuruan Konferencën Ndërkombëtare e UBT-së për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion

29/10/2018

Edicioni i shtatë i Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion mbylli punimet pas tri ditësh intensive me aktivitete të shumta.

Përveç numrit rekord të pjesëmarrësve dhe punimeve të prezantuara, veçoria e kësaj konference të shndërruar tashmë në traditë, ishte organizimi për herë të parë në Kosovë. Në këtë mënyrë, konferenca u shndërrua jo vetëm në një organizim ku u paraqitën punime shkencore, por edhe në një platformë të ndarjes së ekspertizave në fusha të ndryshme, lidhjes së bashkëpunimeve ndërmjet hulumtuesve shkencorë dhe sidomos, ndikoi pozitivisht në promovimin e kapaciteteve njerëzore dhe natyrore të Kosovës përpara partnerëve ndërkombëtarë.

 

Kjo konferencë mblodhi afër 1200 pjesëmarrës, mbi 700 hulumtues shkencorë, prej të cilëve 233 ndërkombëtarë. Pjesëmarrësit vinin nga 24 shtete të botës dhe katër kontinente të botës.

Punimet u vlerësuan si jashtëzakonisht profesionale, inovative dhe të nevojshme, nisur nga fakti se u punuan në 15 fusha të ndryshme studimi, që momentalisht po krijojnë perceptim të ri në botë mbi të bërit shkencë.

 

Përmes organizimit të konferencave shkencore, UBT po jep kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e shkencës dhe të hulumtimit, duke u mundësuar profesorëve, profesionistëve dhe studentëve të fushave të ndryshme, të prezantojnë rezultatet e punës së tyre shkencore, me ndikim në proceset akademike, por edhe me interes për publikun.

 

Konferenca shtriu aktivitetin e vet në 15 fusha të ndryshme, që u mbajtën njëkohësisht, përfshirë fushat: Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sistemet e Informacionit dhe Siguri, Mekatronikë, Sisteme Inxhinierike dhe Robotikë, Inxhinieri e Energjisë Efiçiente, Sisteme të Informacionit dhe Siguri, Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieri e Ndërtimit, Infrastrukturë dhe Mjedis, Juridik, Shkenca Politike, Gazetari, Media dhe Komunikim, Shkenca të Ushqimit dhe Teknologji, Shkenca Mjekësore, Stomatologjike dhe Farmaceutike, Dizajn i Integruar, Psikologji dhe Edukim e Zhvillim.