Rektori Hajrizi zhvillon takime të rëndësishme në Florida – Promovon inovacionin dhe partneritetet ndërkombëtare në arsim

27/03/2024

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka qëndruar në Florida, ku ka vizituar “University of South Florida”, në qytetin e St. Petersburg dhe Tampa, dhe me këtë rast ka zhvilluar takime të rëndësishme me drejtuesit e këtij institucioni arsimor.

Përgjatë kësaj vizite, nën organizimin e Prof. Dr. Judithanne Scourfiled Mclauchlan, profesoreshë e asociuar e shkencave politike në Universitetin e South Florida St. Petersburg, Rektori Hajrizi u takua me Rektorin e këtij Universiteti, ku diskutuan për mundësinë  e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave të mira në mes dy institucioneve.

Rektori Hajrizi ka vizituar dhe çarkun e inovacionit në qytetin e St. Petersburgut, ku ka diskutuar për mundësinë e shkëmbimit të praktikave midis qytetit dhe UBT Smart City.

Në vijim, ka zhvilluar takime të rëndësishme edhe në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare, ku ka synuar të harmonizojë aktivitetet e ardhshme brenda kornizës së bashkëpunimit universitar. Diskutimet me Drejtoreshën e Partneritetit Global u përqendruan në projekte të përbashkëta që përfshijnë studentë dhe staf të të dy universiteteve.

Në një prezantim në bibliotekën moderne të Universitetit, Rektori Hajrizi paraqiti modelin e UBT Smart City dhe qasjen e tij inovative në arsim në Kosovë dhe rajon. Rektori takoi studentët shqiptarë në këtë universitet, duke nxitur lidhjet dhe mundësitë e shkëmbimit të ideve.

Vizita e Rektorit Hajrizi në Florida nënvizon angazhimin e UBT-së në nxitjen e partneriteteve ndërkombëtare dhe inovacionit në arsim.