Rektori Hajrizi zhvillon një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”

23/03/2024

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”.

Rektori Hajrizi u prit nga kryetari i Vatrës, Elmi Berisha, anëtari i kryesisë, Ilir Cubi, anëtari i këshillit të Vatrës, Anton Raja, Dritan Haxhia, Editori i Gazetës “Dielli” dhe gazetari Halil Mula. Në takim mori pjesë dhe Naim Dedushaj kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës, Elmi Berisha vlerësoi punën e shkëlqyer të Rektorit Hajrizi, të stafit akademik në UBT, kërkimin shkencor, metodat inovative të mësimdhënies dhe infrastrukturën moderne në kampuset universitare.

“Nga UBT ka përfituar e gjithë Kosova. UBT është një universitet i shkëlqyer në të gjithë hapsirën shqipfolëse në Ballkanin Perëndimor. Ju jam mirënjohës për bashkëpunimin e veçantë në festimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe sidomos respektin ndaj legjendës së shqiptarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhema. Vatra është satelit i kombit dhe i të mirës së shqiptarëve në Amerikë”, ka potencuar Berisha.

Më tej ai ekspozoi punën e Vatrës në Uashington dhe përpjekjet për transmetimin e atdhetarizëm te gjeneratat e reja shqiptare në Amerikë.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi falënderoi Vatrën për bashkëpunimin dhe pritjen e ngrohtë dhe bashkë organizimin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë. “Pa Vatrën e diasporën shqiptare në Amerikë ne s’do e kishim lirinë. UBT ka interes për ndërtimin e qendrës për studimet shqiptaro-amerikane për të njohur kontributin politik, ekonomik dhe patriotik të diasporës shqiptare në Amerikë dhe kontributorëve të tjerë. Synojmë gjithashtu të themelojmë një qendër serioze për studimet amerikane për të njohur aspekte të thelluara, si, aspekte politike, ekonomike, kulturore e diplomatike”, është shprehur Rektori Hajrizi.

Gjatë takimit të ngrohtë e vëllazëror u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare në Amerikë, ku Vatra ka rolin kryesor në të gjitha proceset patriotike në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.