Rektori Hajrizi, pjesëmarrës në konferencën “Rritja e lidhjeve mes shkencës dhe industrisë në Kosovë”

25/09/2018

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, në cilësinë e ekspertit të arsimit, ka marrë pjesë në konferencën “Rritja e lidhjeve mes shkencës dhe industrisë në Kosovë”, organizuar nga projekti austriak, HERAS (Higher Education, Research and Applied Sciences), që në fokus ka ngritjen e nivelit të hulumtimit shkencor në Kosovë.

 

Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte identifikimi i instrumenteve të përshtatshme për promovimin e inovacionit dhe transferimit të njohurive në Kosovë, fusha në të cilat UBT është dëshmuar ndër vite, duke qenë prijës i ndryshimeve dhe i sjelljes së inovacioneve në Kosovë.

 

Me këtë rast, Hajrizi tha se ndërtimi i një shteti të fuqishëm ekonomikisht e ka bazën tek lidhja dhe bashkëpunimi i ngushtë mes arsimit dhe industrisë.

Si një model të tillë ai e paraqiti UBT-në, si institucion i cili tash e 17 vite ka përgatitur studentë që në të ardhmen të shndërroheshin në ndërmarrës të suksesshëm.

 

Sesioni plenar i ngjarjes ishte një mundësi për të gjithë pjesëmarrësit që të marrin pjesë aktive në diskutime.

HERAS është zotuar që do t’i ndihmojë sektorin e arsimit dhe të industrisë, duke sjellë në Kosovë praktikat më të mira austriake dhe evropiane të funksionimit.