Rektori Hajrizi diskutoi me përfaqësuesit e studentëve të UBT-së

20/03/2015

Prishtinë, 20 mars. – Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, në vazhdën e komunikimit të vazhdueshëm me studentët, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e studentëve të këtij institucioni të lartë arsimor.

Në fokus të këtij takimi ishte cilësia e studimeve, të cilat ata po i vijojnë në UBT. 

Duke ndjekur parimin e bashkëbisedimit me studentët për të gjitha temat me interes, rektori Hajrizi theksoi se UBT është një institucion ku studenti gjithnjë është në plan të parë dhe bëhet gjithçka që studimet në këtë institucion të jenë të një niveli sa më të lartë, gjë që është parë në praktikë në gjithë vitet e ekzistimit të UBT-së dhe është vërtetuar me suksesin e studentëve, që ka rezultuar me një shkallë shumë të lartë të pranimit të studentëve tanë në universitete prestigjioze në programe akademike të nivelit më të lartë e sidomos me shkallën e lartë të punësimit të alumnit të UBT-së.

Me përfaqësuesit e studentëve u diskutua rëndësia e pjesëmarrjes sa më të lartë të studentëve në ligjërata. Në këtë plan, ata u inkurajuan që të ndikojnë që vijueshmëria në ligjërata dhe në ushtrime të jetë sa më e lartë.

Studentët gjithashtu u inkurajuan për të marrë pjesë në ngjarjet e tjera që organizohen në UBT-së, përfshirë edhe ligjëratat tematike, të cilat janë mjaft të shpeshta, me ligjërues mysafirë të përzgjedhur e profesionistë nga fusha të caktuara, të cilat janë me mjaft interes për studentët.

Gjithashtu, u theksua nevoja për angazhim dhe objektivitet në vlerësimin e stafit akademik, një proces i cili është shumë i rëndësishëm dhe të cilit në UBT në vazhdimësi i kushtohet kujdes shumë i madh.

Përfaqësuesit e studentëve gjithashtu u njoftuan për mundësitë e mëdha që ofron UBT për studentët, përmes sigurimit të bursave për studime, mundësisë së vazhdimit të studimeve në universitetet partnere të UBT-së e forma të tjera të përkrahjes së studentëve.