Qendra e Inovacionit dhe Teknologjisë në Korçë orienton të rinjtë në tregun online

21/01/2022

Qendra e re “Innovation & Technology Hub”, e menaxhuar nga UBT, është shndërruar në një histori suksesi në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në qytetin e Korçës e më gjerë.

 

Bashkia e Korçës bëri të ditur se kjo qendër mbështet të gjithë të rinjtë që kanë dëshirë të trajnohen në fushën e teknologjisë inovative, me qëllim orientimin e tyre drejt tregut ndërkombëtar të punës.

 

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se falë projekteve inovative në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe punës së palodhur të të rinjve të talentuar, Korça po shndërrohet në një model suksesi.

 

Filo tha se në Korçë është gjithmonë në rritje numri i të vetëpunësuarve si freelencer dhe kërkesa e të rinjve për të qenë pjesë e trajnimeve që zhvillohen tek Qendra e re e Teknologjisë dhe Inovacionit në Korçë.

 

Sipas tij, “Korça Innovation & Technology Hub” po orienton të rinjtë në tregun online të punësimit, nxit sipërmarrjet inovative dhe avancimin e komunitetit të startup-eve për të rinjtë.