Projektet e studentëve të UBT-së, të zbatueshme edhe në praktikë

27/01/2017

Projekti “Dimming Glass”, i punuar nga studentët e UBT-së, Arbnor Mustafa, Diedon Llabjani, Enes Shabani dhe Ylli Salihu është përzgjedhur si biznes-plani më i mirë nga paneli i përbërë prej ekspertëve të fushës së ekonomisë.


Në këtë ngjarje të organizuar nga UBT-ja,  janë prezantuar 31 biznes-plane, të realizuara nga 130 studentë të MBE-së, të ndarë në 31 grupe, me ç’rast secili prej tyre solli ide të ndryshme për hapjen dhe zhvillimin e bizneseve të reja.


Studenti i Mekatronikës në UBT, njëherësh edhe anëtar i grupit fitues, Ylli Salihu është shprehur se UBT, përmes këtij organizimi u ka dhënë mundësi për shfaqjen e ideve të tyre.

“UBT po na ofron mundësi për paraqitjen e ideve dhe të projekteve tona biznesore, duke përfshirë në to të gjitha analizat financiare, planet operacionale, si dhe makineritë e nevojshme për përdorim”, tha Salihu.


Drejtori për Çështje akademike në UBT, njëherësh edhe profesor në lëndën Menaxhimi Strategjik dhe Ndërmarrësia, Armend Muja theksoi se qëllimi i organizimeve të tilla është promovimi  i ndërmarrësisë si një mundësi për përparim shoqëror e ekonomik. Ndër tjerash ai tha: “Mbështetja politike e juridike për mjedis më të favorshëm biznesor, duke përfshirë edhe politikat fiskale, do të jetë rruga kryesore për intensifikimin e zhvillimit të ndërmarrësisë në Kosovë”, theksoi Muja, për të shtuar se “kjo ide është sjellë nga rektori i UBT-së, prof. dr.  Edmond Hajrizi, me qëllim që ky institucion të jetë një vend ose platformë ku ndërthuret arsimi dhe industria”.

Ndërkaq, duke e vlerësuar punën e realizuar nga studentët, ai tutje tha së, në këtë vit janë realizuar projektet dhe prezantimet më cilësore.


Organizimi i një ngjarjeje të tillë u financua nga Banka për Biznes (BPB), përfaqësuesi i së cilës, Adonis Bllacaku konsideroi se shumica e projekteve të prezantuara gjejnë zbatim edhe në praktikë, andaj inkurajoi studentët e UBT-së për të punuar në zbatimin e tyre.

“Janë prezantuar projekte, të cilat kanë tejkaluar pritshmëritë tona, prandaj cilësia dhe lehtësia në aplikimin e tyre, na shtyn të vazhdojmë me ofrimin e përkrahjes sonë për ngjarjet e tilla”, theksoi Bllacaku, i cili e vlerësoi lart punën e studentëve dhe nivelin e mësimdhënies në UBT.

Projekti fitues “Dimming Glass” është shpërblyer me 1 mijë euro, derisa kjo është gjenerata e shtatë që ka prezantuar biznes-plane, në kuadër të lëndës Menaxhimi Strategjik dhe Ndërmarrësia.