Profesori i UBT-së, Valmir Hoxha ligjërues në konferencën për teknologji “DokuTech”

06/08/2018

 

Drejtori për Çështje Akademike, njëherësh edhe profesori në Fakultetin e Mekatronikës në UBT, Valmir Hoxha, ka marrë pjesë konferencën më të madhe vjetore teknologjike “DokuTech”, si rezultat i partneritetit që UBT ka me organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Në punimet e kësaj konference të mbajtur në Prizren, profesori Hoxha ka prezantuar robotin me teknologji të përparuar që është duke e ndërtuar me skrap, i cili për ndërtimin e tij përdorë softuer me kod të hapur dhe materiale të ripërdorura.

Profesori i UBT-së, Valmir Hoxha ligjëroi në këtë konferencë në mesin e qindra të pranishmëve, deri sa projekti i prezantuar nga ai u prit me shumë entuziazëm dhe u konsiderua si një prurje e paparë ndonjëherë në Kosovë.

Gjatë kësaj konference ai ka prezantuar edhe përvojën e tij në industri, teksa ka folur edhe për shërbimet e kësaj fushe dhe zgjidhjet për problemet në proceset komplekse teknike.

“DokuTech” është ngjarje që mbahet nga viti 2014, në Prizren, dhe që nga atëherë ka mbledhur individë dhe talentë të shumtë të teknologjisë, konkretisht 6 mijë pjesëmarrës dhe më shumë se 70 folës të njohur botërisht.