Profesori Binak Beqaj promovon libër urbanizmi në Tiranë

12/04/2016

Profesori në UBT, dr. Sc. Binak Beqaj, ka nxjerrë nga shtypi librin “Zhvillimi urban, planifikimi dhe dizajni”. Ky libër është ndër të parët në fushën e urbanizmit që botohet nga një autor shqiptar.

 

Promovimi i librit është bërë në Universitetin Politeknik te Tiranës – Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, me kërkesë të të fundit, ndërsa është pritur me interesim të madh nga studentet, pedagogët dhe studiuesit e fushës.

 

“Zhvillimi urban, planifikimi dhe dizajni”, është libri i tretë profesional – studimor i autorit.

 

Promovimi i librit është bërë në amfiteatrin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik te Tiranës, ku profesori Beqaj ka mbajtur edhe ligjëratën tematike “Transformimet shoqërore dhe sfidat urbane në vendet e Ballkanit, në relacion me standardet e UE-së”.

 

Ligjërata ka nxitur debat konstruktiv të të pranishmëve dhe është vlerësuar shkëlqyeshëm nga debutuesit.

 

Urbanizmi është një nga fushat më komplekse, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por në tërë Ballkanin. Prandaj, libri i profesor Beqajt, nëpërmjet shembujve dhe zgjidhjeve konkrete urbanistike, hap shtigje të reja për studiuesit, detyrë e të cilave është që t’i rreken me po aq seriozitet një problemi të tillë rreth zhvillimeve shoqërore.