Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes UBT-së dhe MMPH-së

10/02/2017

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, në cilësinë e udhëheqësve të këtyre institucioneve, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit.

 

Rektori Hajrizi e informoi ministrin Shala me drejtimet, qendrat e ndryshme hulumtuese, inkubatorët dhe laboratorët, që gjenden në kuadër të UBT-së, teksa tregoi që UBT po rritet gradualisht dhe shëndetshëm.

“Qëllimi kryesor i UBT-së është që të ndihmojë vendin në rrafshin akademik dhe teknologjik, përmes krijimit dhe ndërtimit të kuadrove të afta e profesionale, në fushat me të rëndësishme dhe njëherësh më pak të zhvilluara”, theksoi Hajrizi.

 

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor, Ferat Shala tha se lidhja e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve është një hap shumë i rëndësishëm dhe nga i cili mund të përfitojnë të gjithë.

“Kjo marrëveshje e legalizon bashkëpunimin tonë institucional, përmes shkëmbimit të përvojave, ligjëratave të ndryshme, dhënies së informacioneve të nevojshme për studentët gjatë punimit të diplomave,si dhe realizimin e praktikave dhe analizave të përbashkëta në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor”, vlerësoi Shala.

 

 

UBT ka krijuar bashkëpunim me shumë universitete dhe institucione vendore e ndërkombëtare, me qëllim të promovimit dhe përmirësimit të imazhit të Kosovës, ku në fokus gjendet ngritja e nivelit ekonomik dhe teknologjik.