Nisi punimet ANV-ja e Arkitekturës, studentët ndahen në grupe të ndryshme punuese

24/07/2018

Filloi Akademia Ndërkombëtare Verore e Arkitekturës, ku studentët e ndarë në grupe do të kenë mundësi të dëgjojnë ligjërata e të bëjnë ushtrime për fusha e dimensione të ndryshme të arkitekturës.

Hapjen e Akademisë e bëri dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, prof. dr Lulzim Beqiri, i cili para studentëve theksoi rëndësinë që ka ky aktivitet për ta.
“Përmes kësaj akademie do të mundohemi të sjellim module shtesë nga industria që lidhen me drejtimin tuaj, në mënyrë që të jeni sa më të përgatitur për tregun e punës” tha ai.

Menjëherë pas fjalimit, studentët u ndanë në grupe dhe vazhduan punën me ligjërues e tema të ndryshme.

Ligjëruesi në UBT, Binak Beqaj ka trajtuar temën “Transformimi urban/social i hapësirave publike”, i cili krahas ligjërimit për këtë temë, studentëve ua dha një detyrë, të cilën duhet ta mbarojnë deri në përfundim të këtij moduli.
Qëllimi i kësaj detyre është që studentët jo vetëm të njihen me problemet urbane/sociale të hapësirave publike, por të ofrojnë edhe zgjidhje të cilat duhet të bazohen në funksionalizim urban të mirë, multifunksionalitet, ekologji dhe ruajtje të ambientit, efiçiencë dhe racionalitet, gjithëpërfshirje në qasje dhe shfrytëzueshmëri, ruajtje të vlerave të trashëgimisë, identitet të ri dhe estetikë.
Për tri ditë, studentët do të punojnë në pune ekipore të mbikëqyrur nga asistentet, Blerta Vula, Modest Gashi, Sadije Kelmendi, Gresa Ramosaj.

Njëra prej fushave ku po fokusohet kjo akademi është “Arkitektura digjitale” dhe për të ligjëroi asistenti në UBT, Faton Spahiu, i cili konkretisht trajtoi temën më titull ”Ilustro me Ilustrator”.
Ai i njoftoi studentët me programin softuerik, “Ilustrator”, që shërben për dizajn grafik, manipulim me forma të ndryshme gjeometrike dhe dizajn të diagrameve arkitektonike.
Me anë të këtij softueri, studentët deri në fund të akademisë kanë për detyrë të ilustrojnë objekte me forma të ndryshme.

Ligjëratat vazhduan me Zekë Islamaj, ligjërues në UBT, i cili trajtoi temën ”Arkitektura e brendshme dhe mobilet në arkitekturë”, në të cilën hyjnë projektimi, dizajnimi dhe ndërtimi i hapësirave të brendshme, që shfrytëzohen nga njeriu si objekte banimi, bare, hotele,

Ligjëruesi në UBT, Nexhat Balaj shtjelloi temën “Roli i zonave të gjelbra në mjediset urbane dhe arkitekturën e peizazhit”, ku theks të veçantë i kushtoi rëndësisë së këtyre zonave në mjedis, sa i kushtojnë rëndësi qytetet hapësirave të gjelbra, si dhe ndikimi i tyre në aspektin estetik të një vendi.

Punimet e akademisë së Arkitekturës do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme, me fillim nga ora 09:00.