Në konferencën online të UBT-së u trajtua rëndësia e edukimit online në kohë pandemie

07/04/2020

Në kuadër të konferencave për trajtimin e temave me interes në kohë pandemie, që UBT po i organizon në vijimësi, këtë u herë u trajtua tema e rëndësisë së edukimit online dhe hapave që duhet të ndërmerren, me qëllim që nxënësit dhe studentët të mos largohen nga rrjedhat e mësimit dhe studimit.

 

 

Konferenca ishte e hapur për publikun e gjerë përmes platformave Televizionit UBT, Radio Campus, si dhe faqeve të UBT-së në Facebook, Instagram, YouTube.

 

 

Hapjen e konferencës e bëri rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, duke theksuar se vonesa në fushën e arsimimit është humbja më e madhe që i shkaktohet një individi dhe një kombi. Ai tutje shtoi se UBT në këtë kohë pandemie ka vepruar me kohë duke iu siguruar studentëve të vet mësim cilësor nga distanca.

 

 

Hykmete Bajrami , ministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duke falendruar UBT-në për mundësinë e dhënë rreth diskutimit të sfidës që po e kalojmë  theksoi se kjo situatë për Ministrinë e Arsimit në Kosovë për studimet parauniversitare ishte një proces jashtëzakonisht sfidues.

 

 

“Sot falë punës vullnetare dhe të angazhimit i të gjithë ekipit ne jemi në gjendje të ofrojmë ligjërata online me një mbulueshmëri rreth 70% të ligjëratave të planifikuara”, shtoi ministrja Bajrami.

 

 

Tutje, ajo tha se sfida e parë që vendi do të përballet në fushën e arsimit është vlerësimi i nxënësve sepse ka laramani të platformave që përdoren, si dhe, sipas saj, do jetë sfidë mbajtja e testit të semimaturës dhe maturën, po që tani për tani ende nuk ka ndonjë vendim në këtë drejtim.

 

 

“Nga informacionet që ne si ministri i kemi marrë, jemi informuar që UBT është një nga institucionet e arsimit të lartë, një ndër të parët që në ditët e para pas shpalljes së pandemisë ka filluar aplikimin e arsimit online. Gjithashtu, statistikat tregojnë për ndjekjen e ligjëratave nga një numër i madh i studentëve të UBT-së në mësim në distancë, dhe ky fakt na gëzon e jemi mirënjohës për të gjithë ata që kanë vepruar njësoj në këtë drejtim”, potencoi ministrja Bajrami.

 

 

Ndërkaq, ministrja theksoi se mungesa e digjitalizimit të shkollave, të materialeve didaktike si dhe format e unifikuara të trajtimit dhe të përdorimit të aplikacioneve dhe të teknologjisë në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë është hendikep i madh.

 

 

“Për MAShTI-n ka qenë jashtëzakonisht sfiduese për dallim prej UBT-së, sepse në fakt ne kemi filluar çdo gjë nga zero. Si institucion UBT ka filluar më herët përdorimin e platformave online për mësim në distancë, të cilat lehtësisht i keni adaptuar pas shpalljes së pandemisë nga OBSH-ja. Por, në nivelin para universitar vërtetë ka qenë sfiduese. Këtij projekti u janë bashkëngjitur të gjitha palët e interesit në mënyrë që të jetë i suksesshëm”, theksoi ajo.

 

 

Në vazhdim të konferencës drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, potencoi se arsimimi online në nivelin parashkollor, fillor dhe të mesëm, po zhvillohet me sukses ku mësimdhënësit përmes udhëzuesve që MAShT-it i ka siguruar, po i zhvillojnë mësimet përmes platformave google class room dhe google zoom.

 

“Në komunën e Prishtinës mbi 70% të nxënësve janë të përfshirë në mësimin online nga niveli parashkollor deri në nivelin e mesëm. ”, theksoi drejtoresha Shala.

 

 

“Mësimet që po shfaqen në televizione janë të bazuara në rezultatet e korikules së re. Poashtu edhe shkollat profesionale filluan mësimet dhe për fat të mirë ka pjesëmarrje dhe koncentrim më të madh tek nxënësit në këtë periudhë”, shtoi Shala.

 

 

Drejtoresha dhe ekspertja e arsimit të lartë, Drita Kadriu, duke iu referuar fjalorëve të edukimit rreth shpjegimit të nocionit të mësimi elektronik theksoi se mësimi elektronik është transmetimi i dijeve dhe kthimi i tyre në aftësi, përmes pajisjeve elektronike.

 

 

“Mësimi online në kohën e pandemisë është një fat në fatkeqësi”, shtoi Kadriu.

 

Sipas Kadriut të mësuarit elektronik është njëri prej instrumenteve për zhvillimin e mësimdhënies, dhe në shekullin XIX është elementi kyç që e shkurton rrugën e informacionit. Ajo theksoi se tri elementet kyçe që mësimdhënësit duhet të kenë parasysh përgjatë kësaj kohe janë: të mos hiqet vëmendja nga përmbajtja shkencore, njohja e pedagogjike e përmbajtjes shkencore si dhe njohja mbi përdorimin e elementit të teknologjisë.

 

 

“Mësimi online duhet të jetë njëri nga prioritetet tona prandaj propozoj që të krijohet një zyre për të mësuarit elektronik i cili deri më tani nuk ka funksionuar brenda MAShT-it dhe ky sektor duhet  t’i bartë përgjegjësitë edhe më tutje”, tha ajo.

 

 

“Kjo konferencë është duke i kontribuar mjaft debatit shoqëror që po bëhet për mësimin online në kohë të pandemisë dhe i ka aktivizuar të gjithë faktorët  si nxënësit, prindërit, mësimdhënësit  dhe grupet e interesit që janë të përfshirë në sistemin arsimor”, shtoi drejtoresha Kadriu.

 

 

Profesorët që po e udhëheqin mësimin online, Naim Preniqi dhe Besnik Skenderi thanë që kjo formë e studimit është e re, por aspak e vështirë për t’u implementuar, sepse UBT, si institucion inovativ dhe i njohur për teknologji, tashmë është përgatitur për çdo situatë dhe për të komunikuar e ndërvepruar edhe në kohë pandemish, kur studentët tanë nuk janë fizikisht në ligjërata.

 

 

Ndërkaq, studentët tanë Duresa Tafa dhe Edonit Beluli, të cilët ishin pjesë e konferencës, e kanë pritur këtë formë të studiuarit me shumë entuziazëm, pasi që nuk po mbesin mbrapa nga procesi mësimor, po kursejnë kohë si dhe theksuan që përmes kësaj platformë po e zhvillojnë një kulturë të re e të mësuarit dhe kjo formë që po ofrohet përmes UBT-së i ka tejkaluar pritshmëritë e tyre.

Video-konferenën e plotë mund ta ndjekni në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=jjsLiLHFKt0