Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, nga UBT përçohet mesazhi për bashkim në luftim të pabarazisë gjinore

08/03/2019

Për nder të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në UBT është organizuar tryezë diskutimi më titull: “Sfidat dhe tejkalimi i tyre për arritjen e fuqizimit të vajzave dhe grave në Kosovë”, në të cilën akademike nga UBT dhe anëtare të shoqërisë civile paraqitën qëndrimet e tyre mbi sfidat me të cilat përballen gratë për shkak të gjinisë, si dhe hapat që duhet ndërmarrë për tejkalimin dhe fuqizimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare.

 

Menaxherja në Zyrën e Financave në UBT, Fisnete Hajrizi tha se UBT është munduar të instalojë politikën e forcimit të pozitës së gruas përmes ofrimit të edukimit cilësor dhe fuqizimit ekonomik të tyre.

“Si UBT gjithmonë i kemi kushtuar rëndësi të madhe angazhimit të gruas në organizatë dhe si rezultat i këtij përkushtimi, ne sot fatmirësisht rezultojmë të jemi institucioni i parë me numrin më të madh të grave të punësuara në rajon, dhe atë, të gjitha në pozita udhëheqëse”, tha ajo, teksa uroi që modelin e UBT-së ta marrin edhe institucionet tjera.

 

Udhëheqësja e panelit të diskutimit, prof. dr Jorida Xhafaj, që mban pozitën e dekanes së Fakultetit Juridik, tha se bazë për krijimin e një shoqërie të qëndrueshme është fuqizimi ekonomik i grave dhe se prej këtij lloj fuqizimi gratë janë në gjendje që automatikisht të jenë aktive në vendimmarrje.

“E drejta në pronësi do të thotë e drejtë për të pasur zë, është shteg për fuqizim, integrim dhe aktivizim, por sfidë në këtë proces mentaliteti dhe pengesat në rrafshin kulturor në shoqëri, që i bënë gratë të heqin dorë nga pasuria që u takon me ligj”, shpjegoi ajo.

 

Doktoresha shumëvjeçare, njëherësh ehe ligjëruese në UBT, Syheda Latifi- Hoxha përmes një prezantimi sqaroi rolin e gruas profesioniste në shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë dhe në botë.

Ajo bëri krahasimi ndërmjet shkallës së vdekshmërisë së nënave gjatë procesit të shtatzënisë, lindjes, si dhe të periudhës pas lindjes.

“Nuk jemi në gjendje alarmante, por shpresoj që mbijetesa e grave dhe fëmijëve të jetë e madhe dhe që bashkë të mposhtim vdekjen kur ajo është e parandalueshme. Kurse, sot dua të jap edhe mesazhin që gratë kudo të fuqizohen duke e përdorur si argument dijen, seriozitetin dhe rezultatin në punë”, potencoi ajo.

 

Përfaqësuesja e organizatës “Institute of Women for Empowerment”, Arbenita Tërdevci tha se UBT është duke bërë një punë të jashtëzakonshme në vetëdijesimin e komunitetit për rëndësinë e fuqizimit të grave, teksa vlerësoi se sikur të gjitha institucionet të vepronin sikur UBT-ja, deri tani nuk do të kishim nevojë për kuota gjinore askund.

“Gratë kanë ende vështirësi që të shkollohen, të gjejnë një vend pune dhe të zënë vend në një shoqëri që nuk i gjykon për zgjedhjet e tyre. Të gjitha këto janë sfida të vështira për t’u kaluar, por që mund të tejkalohen vetëm duke u bërë bashkë, e duke e vetëdijesuar komunitetin mbi rëndësinë e të jetuarit në një shoqëri të barabartë” potencoi ajo.

 

Tërdevci shpalosi edhe platformën dhe projektet e organizatës “Institute of Women for Empowerment”, që synon të ulë pabarazinë gjinore në internet, përmes publikimit të historive të grave të suksesshme shqiptare, duke qenë se shumica dërrmuese e përmbajtjeve në internet janë të shkruara për burrat.

 

Menaxherja e biznesit social, “Sa Punë”, Altinë Nika shpalosi punën që bëhet në kuadër të këtij projekti dhe në tërësi në kuadër të organizatës “The Ideas Partnership”.

“Ne kemi krijuar një biznes social që i ka punësuar gratë e komunitetit rom, kurse mjetet nga produktet e shitura shkojnë për këto gra dhe për shkollimin e fëmijëve të tyre. Prandaj, vetëm me produkte kaq të thjeshta, por të bukura, ne mund të fuqizojmë gratë”, tregoi ajo.

 

Në fund, Nika hapi edhe mini-panairin e produkteve të Sa Punë, ku secili nga pjesëmarrësit pati mundësi të fuqizonte këto gra përmes blerjes së produkteve, teksa UBT si institucion e ndihmoi këtë biznes social përmes blerjes së dhuratave për të gjithë stafin e gjinisë femërore.