Në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit, UBT qëndron në piedestale të larta në zhvillimin e arsimit në Kosovë

24/01/2022

Dita Ndërkombëtare e Edukimit e gjen UBT-në në nivelin më të lartë të zhvillimit të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit. UBT me zhvillimin e saj ka nxjerrë dhe po vazhdon të nxjerrë gjenerata të profesionistëve dhe ekspertëve në më shumë se 50 programe studimi, duke bërë që niveli i arsimit universitar në vendin tonë të shënoj ngritje.

 

Duke ditur vlerën që ka arsimimi për shoqërinë, UBT fokus të veçantë i ka dhënë ngritjes profesionale të gjeneratave të reja në fusha të veçanta, në bazë të kërkesave të tregut vendor dhe ndërkombëtar të punës.

 

Kësisoj, UBT ka ngritur themele të forta në baraspeshimin e studimeve me secilin shtet në botë, duke bërë që studentët e UBT-së të jenë të barabartë me secilin student të botës. UBT po përgatit ekspertë të së ardhmes, të cilët padyshim që në profesionet e tyre do të japin kontribut në shtet-ndërtimin e Kosovës, dhe kjo është një pikënisje e cila ka vazhduar dhe do të vazhdojë për gjenerata të tëra.

 

Për të zhvilluar edhe më shumë arsimin në vendin tonë, UBT ka sjell më shumë se 30 inovacione, ndër to edhe aplikimin e realitetit virtual, platformë kjo e cila po ndihmon jashtëzakonisht shumë studentët tanë për të ndjekur mësimet virtualisht me XR dhe VR, njëherit duke e renditur UBT-në të parën në botë për nga aplikimi i kësaj super-teknologjie.

 

Interneti sot është bërë një faktor kyç në marrjen e njohurive dhe informacioneve për studentët, ndaj për këtë UBT ka zhvilluar në një nivel krejtësisht tjetër fushën e teknologjisë informative, duke sjell për herë të parë në Kosovë dhe rajon rrjetin 5G, me një shpejtësi marramendëse të përpunimit të të dhënave.

 

Ndërkombëtarizimi është një prej pikave kyçe të zhvillimit të arsimit në Kosovë, ndaj UBT është institucioni me më së shumti marrëveshje bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare të arsimit, duke përfshirë më shumë se 500 të tilla, si dhe duke qenë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare të arsimit dhe më gjerë, në fusha dhe programe të ndryshme të studimit.