Në UBT i zhvilloi punimet konferenca “Free Market Road Show”

22/04/2015

Në ambientet e UBT-së në Prishtinë sot i ka zhvilluar punimet konferenca ndërkombëtare “Free Market Road Show”, në të cilën, folës ndërkombëtarë dhe vendorë kanë paraqitur idetë dhe hulumtimet e tyre lidhur me sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik, përshkuar me shembuj nga vende, rajone e praktika të ndryshme nga e gjithë bota.

 

Rektori i UBT-së, Dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij hyrëse, i përshëndeti pjesëmarrësit e konferencës.

“Është nder për UBT-në të organizojë këtë konferencë që ka të bëjë me edukimin e të rinjve me biznes dhe teknologji. Ne kemi përgjegjësi të zgjidhim problemet dhe të tentojmë të arsimojmë brezat e rinj. Është nder për UBT-në të marrë pjesë në projekte të ndryshme. Konsideroj se kemi material të mjaftueshëm dhe resurse e faktorë që mund të ndihmojnë në rritjen e ekonomisë së vendit. Kemi mbështetje nga partnerët e ndryshëm”, theksoi dr.Hajrizi.

 

“Besojmë se idetë për tregun e lirë të sjella nga Shkolla Austriake e Biznesit mund të jenë mjaft të mira për ju që t’i përdorni në vendin dhe në bizneset tuaja. Ne kemi marrë si model tregun austriako-hungarez, pra që nga kohët më të vjetra. Idetë e tregut të lirë do të ndihmojnë në jetët e njerëzve”, theksoi ndërkaq Richard Zundritsch, anëtar i Bordit të Institutit Hayek dhe i Qendrës Ekonomike Austriake).

 

Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, profesorë, ekspertë e studentë të shumtë, foli edhe Gunther Ferlinger, udhëheqës i shoqatës Austriako-Kosovare.

“Evropa mund ta përmirësojë tregun e lirë, me anë të të cilit do të pasojë rritja e ekonomisë. Kosovës i nevojitet edukimi evropian”, tha ndër të tjera z.Ferlinger.

Drejtori i Projektit Millenium, Prof. Jose Luis Cordeiro na Venezuela, theksoi se kjo është hera e dytë që vjen në vendin tonë, ku së pari ka qenë për prezantimin e futjes së Markës Gjermane në ekonominë dhe tregun e Kosovës. 

 

“Ju duhet ta bëni atë që e ndjeni, nuk ka rëndësi nëse dështoni një herë. Nëse dështoni edhe 2-3 herë të tjera, prapë nuk ka rëndësi. Duhet të dështoni disa herë që të bëheni më të mirë. Brenda 20 vitesh ne do të jemi pjesë e shumë ndryshimeve teknologjike. Në vitin 2009, në hapjen e universitetit tonë, i pranishëm ishte edhe guvernatori i Kalifornisë të cilin e njohim ndoshta të gjithë, austriako-amerikani Arnold Shwarzengger, i cili e përuroi universitetin tonë. Ai u kthye në vitin 2012, duke marrë shumë projekte nga Universiteti ynë, gjëra që do të jenë reale”, tha në paraqitjen e tij Prof. Cordeiro. 

 

“Nga viti 2029 deri në vitin 2045, teknologjia do të bëjë hapa të paimagjinueshëm. Në revistën e famshme “Times” u bënë publike dy projekte që ne i kemi. “Si mundet Google të shpëtojë jetë njerëzish” dhe “Nga viti 2045 njerëzit do të jenë të pavdekshëm”. 3D printerët qe ne i kemi sjellë në treg kanë arritur që të bëjnë gjëra të mahnitshme, ndër të tjera një të tillë e kemi dërguar edhe në stacionin hapësinor”, tha ndër të tjera Cordeiro.

Një vështrim të gjerë zhvillimeve ekonomike në Kosovë dhe në rajon, në kohë të ndryshme e bëri Adri Nurkollari. 

“Deri sa pjesa më e madhe e Evropës kishte rënie jashtëzakonisht të madhe ekonomike, Kosova faktikisht pati rritje ekonomikë, kurse në vitin e kaluar (vitin 2014), pati rritjen më të madhe që nga koha e krizës.  Se Kosova është e qëndrueshme ekonomikisht tregon edhe investimi ne autostrada e madje edhe në Aeroportin “Adem Jashari”, i cili është ndër aeroportet më të frekuentuara në rajon”, theksoi ai ndër të tjera në fjalën e tij në konferencë.

 

Ndërsa Henrique Shneider, udhëheqës i Federatës së e Bizneseve të vogla dhe të mesme në Zvicër, përcolli një mesazh mjaft interesant. ”Rritja dhe Liria kanë ÇMIM! Ato nuk mund të jenë të lira e në rastet që dikush mendon që i ka marrë lirë atëherë ai apo ajo është idiot! UÇK deshi lirinë, ata e dinin se ka rrezik, ata e dinin se do të përballeshin ndoshta edhe me rrezikun më të madh… Vdekjen! Nuk ka liri, nuk ka rritje pa rrezik. Nëse ti nuk dëshiron të rrezikosh, pse nuk qëndron në shtrat? Ai është vendi më i sigurt për secilin. Google ishte në rrezik në fillimet e saj, nuk kishte reklamues, nuk kishte përkrahës, kurse sot Google është në çdo vend! Rreziku mund të të sjellë suksesin…”, theksoi ndër të tjera Shneider.

Në konferencë foli edhe Kate Sheehan nga Asociacioni për Hulumtim Postdoktoral në Institutin Free Market, e cila elaboroi temën për sfidat në tregun e lirë dhe ndikimin e tij në ekonominë e një vendi.