Në Kampusin e UBT-së në Prishtinë u mbajt Konferenca: Dita Austriake e Infrastrukturës së Mençur

01/02/2016

Në kuadër të bashkëpunimit të UBT-së me Shoqatën Austriake, të hënën, më 1 shkurt 2016, u organizua Konferenca “Dita Austriake e Infrastrukturës së Mençur”, (Austrian Kosovo Smart Infrastructure Day 2016) e cila u përcoll me shumë vëmendje nga specialistë të fushës së infrastrukturës dhe të arkitekturës.

Në hapjes të Konferencës, rektori i UBT-së Edmond Hajrizi tha se kjo shënon ngjarjen e parë në vitin 2016. Sipas tij, ky lloj organizimi në sferën e zhvillimit infrastrukturor dhe rrugor është pikë kryesore e zhvillimit të një vendi, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social. “Si një shtet i ri, kemi themeluar një forum për të diskutuar për infrastrukturën, zhvillimet, dhe ndikimin e teknologjisë, që është e përfshirë në infrastrukturë”, u shpreh Edmond Hajrizi. Më tej, ai shtoi, se, sa i përket teknologjisë së informimit, UBT është i vetmi kolegj, institucion i nivelit të lartë të arsimit, që e ka të pranishme, dhe për herë të parë, arsimimin në fushën e infrastrukturës e ka vënë në vend të parë. “Fokusi ynë është të funksionojmë edhe në këtë vend, e për rekomandime se çka mund të bëjmë më mirë, në këtë fushë, duhet marrim parasysh konceptin smart apo të zgjuar dhe patjetër, që UBT po ndihmon në këtë fushë, duke u ofruar studentëve mundësi që të vetëdijesohen për të mirat e infrastrukturës”, -përfundoi z. Hajrizi.

Në këtë Konferencë morën pjesë dhe dhanë kontribut të veçantë edhe, Ramadan Ilazi, zëvendës ministër i Integrimit Evropian, Presidenti i Forumit Evropian Aplbach, Franz Fischler. I cili në fjalën e tij theksoi që, “Kosova është vendi me popullsinë më të re në të gjithë botën, e iniciativa e këtij kolegji është shumë e mire, e po UBT po jep kontributin në mënyrë thelbësore”, tha Presidenti i Forumit Evropian, z. Alpbach. Ndërsa, austriaku, Christoph Demuth që mban pozitën e zgjedhësit të problemeve të trafikut, tha se riorganizimi i transportit apo modaliteti që është term më modern ka pësuar shumë zhvillime kohëve të fundit. Agim Zuzaku, përfaqësuesi nga Komuna e Gjilanit, fjalimin e e nisi me temën bazë të zhvillimit ekonomik. E për t’i paraqitur këto informata shumë të rëndësishme në këtë konferencë ishte edhe Jeton Rexhepi, Drejtor i Drejtorisë për Policinë e Kosovës i cili foli për sigurinë në rrugë. Në fund, Dekani i drejtimit të ndërtimtarisë në UBT, Muhamet Ahmeti foli për ndikimin e transportit dhe për logjistikën, e që, sipas tij infrastruktura është gjëja kryesore e aspektit ekonomik dhe social, të shteteve që janë në tranzicion.