Mbahet punëtoria për kamerë e fotografi dhe ligjërata mbi zhvillimin e mediave në Amerikë në ANV-në e Medias e Komunikimit

10/07/2017

Mbahet punëtoria për kamerë e fotografi dhe ligjërata mbi zhvillimin e mediave në Amerikë në ANV-në e Medias e Komunikimit

 

Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT, në ditën e katërt të Akademisë Ndërkombëtare Verore, krahas ligjëratave tematike ka mbajtur punëtorinë për kamerë dhe fotografi për të gjithë studentët pjesëmarrës, të cilët kanë qenë entuziastë për këtë fushë.

 

Gjatë trajnimit të organizuar, tutorja në Fakultetin Media dhe Komunikim, Anisa Rada, në pjesën teorike të punëtorisë, tha se fotografia është art, që aplikohet për krijimin e imazheve të ndryshme. 


Qëllimi i kësaj punëtorie, sipas saj, ka qenë trajnimi i studentëve pjesëmarrës, për ngjalljen dhe zhvillimin e kreativitetit brenda tyre, ku me anë të një fotografie ata do të shprehin shumë fjalë si dhe të aftësohen në këtë drejtim.


Akademia në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit ka vazhduar aktivitetin me ligjëratën e profesorit të historisë në Universitetin Kentucky të SHBA-së, njëherësh edhe profesor vizitor në UBT, David Olster.

 

Gjatë ligjëratës së tij, Olster ka trajtuar temën: “Revolucioni i medias në Amerikë: Nga gazetaria e shkruar deri tek postimet në rrjetet sociale”, në kuadër të së cilës ai ka trajtuar përkufizimet që u bëhen mediave, pastaj me historikun e zhvillimit të teknologjisë së mediave në Amerikë, me ç’rast përmendi edhe disa nga rastet kur mediat kanë bërë ndryshime drastike, në të cilat u pasqyruan skandalet e ndryshme, krimet, raportimi për luftërat etj.

Tutje, ai ka trajtuar edhe ndikimin e madh të mediave në ditët e sotme, duke marrë si rast konkret zgjedhjen e Donald Trump, për president të ShBA-së.

Akademia e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, në ditët e ardhshme do të karakterizohet me shumë ngjarje, përfshirë edhe ato artistike.