Ligjëratë e hapur në UBT e profesorit amerikan, Ahmad Zargari

23/03/2016

Përfaqësuesi i universitetit amerikan, Morenead State University, me seli në Kentucky, Ahmad Zargari – CSTM, Ph.D, njëherësh dekan në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Sistemit të Informacionit brenda këtij univeristeti, ka mbajtur të mërkurën një ligjeratë të hapur për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Shkencave kompjuterike të UBT-së.


Para studentëve pjesëmarrës, që kishin mbushur sallën, profesori Ahmad shpjegoi në mënyrë të detajuar programet që ata i ligjërojnë në universitetin e tyre dhe theksoi rëndësinë që ato kanë për zhvillimin e teknologjisë në SHBA dhe në botë.  Ai tha se Morenead State University është një mundësi shumë e mirë për të gjithë studentët, sidomos për të huajt. Zargar, po ashtu, përmendi edhe faktin se studentët e tyre përfitojnë bursa të cilat u ndihmojnë atyre gjatë kohës sa janë pjesë e universitetit. Shtoi se përfitime të tilla do të kenë edhe studentët e UBT-së, të cilët do të jenë përfitues të programit të shkëmbimit. “ Universiteti ynë ka programe të ngjashme me këto në UBT, prandaj bashkëpunimi do të jetë shumë më i lehtë”, u shpreh ndër të tjera ai.

 

Profesori Ahmad tregoi se klasët e tyre janë të organizuara në grupe të vogla, me nga 18 studentë dhe se bashkëpunimi mes profesorëve dhe studentëve është shumë i ngushtë, njësoj sikurse edhe në UBT. 

Universiteti i Morehead-it ka bashkëpunim me universitete nga vende të ndryshme të botës, si: Kina, Korea Jugore, Franca, Gjermania dhe së fundi edhe Kosova.

“Studentët tanë marrin përvojë dhe njohuri të mëdha në fushën e inxhinierisë e teknologjisë, dhe kur të kthehen në vendet e tyre janë të gatshëm për tregun e punës”, theksoi Zargar. 

Ligjëratën, bashkë me një pjesë të stafit akademik, e përcolli edhe  rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi. Hajrizi u shpreh shumë i kënaqur me bashkëpunimin midis dy universiteteve dhe tha se mundësia e ofruar do të shfrytëzohet nga studentët e UBT-së. Rektori shfaqi shpresën se studentët e UBT-së që do të dërgohen atje, do të arrijnë sukses të madh dhe do të kthehen me përvoja e njohuri të reja.

 

“Qëllimi i universitetit tonë është që studentët tanë të arrijnë sa më tepër suksese, teksa ky bashkëpunim ka hapur rrugë suksesesh”, përfundoi ai.