Ligjëratë e Albin Kurtit në UBT

07/04/2014

Prishtinë, 28 mars 2014- Albin Kurti, Kryetari i Komisionit për politikë të jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, para studentëve të UBT-sw  mbajti një ligjëratë me temën “Sa është i (pa)varur është shteti i Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare”. 

 

Gjatë prezantimit të tij z. Kurti,  foli për varësinë legale dhe juridike të shtetit të pavarur të Kosovës nga faktorët ndërkombëtar. “Nuk ekzistojnë vetëm dy mënyra të marrëdhënies me faktorët ndërkombëtar: nënshtrimi servil dhe armiqësia e plotë. Me faktorët ndërkombëtar duhet ndërtuar marrëdhënie partneriteti dhe aleancash përtej këtyre dy ekstremeve,” theksoi Albini. 

 

z. Kurti në këtë ligjëratë  renditi pesë çështjet problematike të këtyre misioneve ndërkombëtare në Kosovën e pasluftës. “Së pari, – tha ai, – mosnjohja dhe mospranimi që ata ia bënë shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së vendit tonë, së dyti, fuqitë e tyre ekzekutive të pakufizuara në kohë dhe në gamën e tyre, së treti imuniteti nga ndjekja penale e gjithë personelit ndërkombëtar bashkë me familjet e tyre, së katërti, mungesa e llogaridhënies ndaj institucioneve vendëse, së pesti, paradigma e stabilitetit afatshkurtër politik që sakrifikon demokracinë, drejtësinë dhe zhvillimin.”

 

Në përfundim Albin Kurti solli në vëmendje faktin se politika e jashtme e Kosovës është e domosdoshme të marrë një kah tjetër, atë të këmbëngulësisë për interesat e Kosovës dhe të bashkëpunimit bilateral në funksion të këtyre interesave. Por këtë mund ta realizojë veç një brez i ri, me mendim të qartë dhe dije e përkushtim adekuat. 

 

Pas ligjëratës, vazhdoi diskutimi me pyetjet dhe komentet e shumta të studentëve të pranishëm.