Licencohet Shkolla e Mesme e Mjekësisë UBT në Gjilan dhe Prizren

26/05/2023

Shkolla e Mesme e Mjekësisë UBT është licencuar nga Komisioni i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për Shqyrtimin e Kërkesave për Licencim dhe Rilicencim të IPAAP, në qytetin e Gjilanit dhe Prizrenit, për programet: Bashkëpunëtor Profesional i Infermierisë dhe Teknik i Laboratorit Mjekësor.

Në një vend si Kosova, ku nevoja për mjekë të kualifikuar është gjithnjë në rritje, licencimi i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në UBT në Gjilan dhe Prizren paraqet një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e arsimit në fushën e mjekësisë.

Shkolla e Mesme e Mjekësisë UBT në Gjilan dhe Prizren vjen me një koncept të ri të arsimit dhe edukimit mjekësor në Kosovë.

Bazuar në standardet e shkollave më prestigjioze në botë, kjo shkollë synon të ofrojë kurrikula multidisiplinare dhe gjithëpërfshirëse, staf të kualifikuar shëndetësorë, infrastrukturë moderne me pajisje më të sofistikuara të kohës, laboratorë të shumtë që i përshtaten lëndëve kurrikulare, duke garantuar kështu cilësinë e arsimit dhe përgatitjen profesionale të nxënësve për të bërë dallimin dhe ndryshimin në fushën e mjekësisë.

Licencimi i programeve: Bashkëpunëtor Profesional i Infermierisë dhe Teknik i Laboratorit Mjekësor, në Gjilan dhe Prizren, është një mundësi unike dhe e shkëlqyer për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen profesionistët e së ardhmes.