Leonard Rexhepi: Pjesëmarrja në projektimin e kampusit të ri të UBT-së, një ndjenjë e veçantë

29/06/2015

UBT Alumni: Si keni vendosur të studioni në UBT?

Rexhepi: Pasi që Arkitektura ka qenë gjithmonë  drejtimi im i preferuar, dhe pasi që jam bindur se ka një nivel shumë cilësor të arsimit, nuk ka qenë aspak e vështirë që unë të zgjedhë UBT-në.

UBT Alumni: Cilat kanë qenë lëndët e juaja të preferuara?

Rexhepi:  Ndër lëndët e mia të preferuara në drejtimin tim të arkitekturës ka qenë “Punë praktike në terren”, ku kemi vizituar objekte gjatë ndërtimit,  i kemi parë punimet për së afërmi dhe kemi përcjellë punimet gjatë tërë semestrit. Kjo ka qenë një lëndë që më ka shërbyer shumë pas përfundimit të studimeve.

UBT Alumni: A mund të ndani me ne ndonjë ngjarje të rëndësishme nga periudha e studimeve?

Rexhepi: Edhe pse gjatë studimeve të mia ka pasur shumë ngjarje që unë i konsideroj të rëndësishme, një ndër ngjarjet që dua ta potencoj është ceremonia e diplomimit. Arsyeja pse kjo ngjarje ka aq rëndësi për mua, është sepse kjo ceremoni bëri mbylljen e një angazhimi intensiv për tre vite me radhë, dhe i dha një përmbyllje madhështore studimeve.

UBT Alumni: Sa keni përfituar nga programet e studimit në UBT?

Rexhepi: Unë personalisht kam përfituar mjaft shumë nga programi i arkitekturës. llojllojshmëria e  lëndëve të ofruara në UBT më ka dhënë hapësirë për të eksperimentuar me idetë dhe synimet e mija për të ardhmen.

UBT Alumni: A keni përfituar nga mundësitë që ofron UBT për udhëtime studimore, studime jashtë vendit përmes UBT-së, internship apo forma të tjera të angazhimit?

Rexhepi: Në vitin e parë kemi pasur një vizitë në disa fabrika në Kosovës, ku unë si student kam parë për së afërmi se si prodhohen elementet të cilat ne i përdorim në projektet tona. Gjithashtu, kemi pasur edhe vizita jashtë vendit ku fatkeqësisht unë nuk kam mundur të shkoj për shkak të disa angazhimeve të tjera, por në bazë të informatave nga student e tjerët, ajo për ta ka qenë një përvojë shumë e mirë.

UBT Alumni: Ju keni treguar rezultate shumë të mira gjatë studimeve. Si e keni arritur këtë?

Rexhepi: Duke pasur mësimdhënës të cilët asnjëherë nuk kanë kursyer dijen e tyre për ne, dhe me një përkushtim timin të madh ndaj profesionit, nuk ka qenë aspak e vështirë që të arrihen rezultate të larta. Kur studenti përkushtohet për profesionin që ka zgjedhur dhe me një mësimdhënie cilësore, atëherë nuk është aspak e vështirë të arrihen rezultate të mira.

UBT Alumni: A jeni duke punuar pas studimeve dhe ku?

Rexhepi: Unë jam duke punuar në kompaninë e familjes sime “Euroing” nga Fushë Kosova, e cila merret kryesisht me ndërtim. Një nga projektet e kësaj kompanie që dua ta veçoj është realizimi i njërit prej objekteve të UBT-së në kampus, ku unë si arkitekt pata rastin t’i vëzhgoj punët për së afërmi dhe të mbaj ditarin e punës. Marrja pjesë në realizimin e këtij projekti ka qenë ndjenjë e veçantë për mua, pasi që jam munduar që njohuritë që kam marrë në UBT t’i aplikoj në mënyrë sa më të mirë.

UBT Alumni: A jeni duke vazhduar studimet?

 

Rexhepi: Pasi që jam bindur se UBT ka një staf shumë të përgatitur me mësimdhënës vendorë, të huaj dhe mjaft cilësorë, kam vendosur që studimet e mia në nivelin Master t’i vazhdoj në UBT në drejtimin e arkitekturës.