Këshilli Akademik i UBT-së diskuton për përgatitjet për semestrin veror

13/03/2015

Këshilli Akademik i UBT-së ka analizuar gjatë takimit të tij të fundit rrjedhën e semestrit të parë të ligjëratave dhe procesin e provimeve të afatit dimëror.

Dekanët e fakulteteve kanë paraqitur të dhënat për aktivitetin akademik dhe të gjitha aktivitetet e tjera të zhvilluara gjatë semestrit të parë të vitit akademik 2014/2015. Ata theksuan se risitë teknologjike, siç është regjistrimi elektronik i prezencës së studentëve në ligjërata dhe në ushtrime, kanë ndikuar shumë pozitivisht në procesin mësimor.

Përveç rrjedhës së procesit akademik, në takim u vu theksi i veçantë te aktivitetet ndërkombëtare të UBT-së, nënshkrimi i marrëveshjeve të reja të partneritetit me universitete prestigjioze në botë, të cilat janë një ndihmesë e madhe për stafin dhe për studentët e UBT-së, për internshipe dhe vazhdim të studimeve në nivelin master dhe studimet e doktoratës. 

 

U theksua gjithashtu se nderimi i UBT-së me Çmimin e Ekselencës, duke qenë i vetmi në rajon me një çmim të tillë, është një obligim shtesë për udhëheqjen, mësimdhënësit dhe studentët e UBT-së për ngritjen e nivelit në të gjitha fushat, për aplikimin e metodave bashkëkohore të në procesin mësimor dhe në fushën e hulumtimeve.

Në takim gjithashtu u theksua se UBT po vazhdon me publikimin e librave për studentë, me autorë profesorë të UBT-së, të cilat janë një ndihmesë e madhe për studentët.

Këshilli Akademik i UBT-së theksoi se UBT gjatë periudhës së kaluar që nga fillimi i këtij viti akademik ka zhvilluar një varg aktivitetesh me shumë interes për bashkëpunimet ndërkombëtare, që janë me shumë interes për studentët dhe për mësimdhënësit e UBT-së.

 

Në këtë vazhdë, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Corvinus”, që është universiteti më i madh dhe më i njohur në Hungari, gjithashtu edhe me Universitetin për Teknologji dhe Ekonomi të Budapestit dhe me Universitetin Pecs. 

U theksua gjithashtu edhe mundësia e krijuar që studentët e UBT të aplikojnë për bursa të plota ofruar nga Komisioni Evropian.

Ndër aktivitetet rëndësishme u përmendën edhe Konferenca e 3-të Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, dhe me theks të veçantë punimi i biznes-planeve dhe një varg aktivitetesh të tjera, në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi, të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë.

 

Me mjaft peshë ishte organizimi në UBT i konferencës ndërkombëtare “Ditët  Austriake-Kosovare 2015”, e cila u organizua edhe me mbështetjen e 

Asociacionit Austriak-Kosovar, Klubit Alpbach Kosovë dhe me mbështetje nga Ambasada e Austrisë në Prishtinë dhe anëtarëve të Shoqërisë austriake të Kosovës në Kosovë dhe akterët kyçë austriakë që mbështesin Kosovën.

Konferenca mblodhi figura shumë të rëndësishme nga Qeveria e Austrisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe trajtoi tema shumë të rëndësishme për UBT-në dhe përgjithësisht për zhvillimet në Kosovë.

Si një e arritur e rëndësishme u theksua edhe publikimi i hulumtimit “Pavarësia dhe besueshmëria e mediave në Kosovë”, që u prit me mjaft interes nga publiku. “Java e filmit””, po kështu ishte një aktivitet mjaft i rëndësishëm.

Edhe gjatë semestrit që shkoi figura të rëndësishme nga politika, ekonomia, fusha akademike e të tjerë, qëndruar në UBT për të diskutuar me studentët dhe profesorët tema me mjaft interes. 

Në këtë takim gjithashtu u diskutuan edhe përgatitjet që janë bërë për fillimin e semestrit të dytë.

Drejtori për çështje akademike, dr.Ardian Emini, njoftoi këshillin për përgatitjet e gjithanshme që janë bërë për fillimin sa më të mbarë të semestrit të dytë.

 

Ai theksoi se UBT ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbarë të ligjëratave nga e hanë dhe ushtrimeve nga java e dytë e fillimit të ligjëratave. 

Tashmë studentët e kanë marrë orarin dhe do t’i mirëpresim ata, pas një kohe kur ata kanë përfunduar afatin e provimeve, të gatshëm për një fillim të ligjëratave, ushtrimeve, projekteve, punëve laboratorike e aktiviteteve të tjera.

Z.Emini gjithashtu njoftoi për punët që po bëhen në objektin e ri në Qendrën Inovative të UBT-së, objekt i cili do të jetë së shpejti në shërbim të studentëve.

UBT edhe gjatë këtij semestri do të krijojë për studentët mundësi pjesëmarrjeje në projekte të ndryshme hulumtuese, mundësi për internship e udhëtime të organizuara studimore, si dhe aktivitete të ndryshme zbavitëse e sportive.