Kryetari i KPM-së foli para studentëve të UBT-së për “Digjitalizimin në Kosovë”

15/01/2015

Prishtinë, 15 janar. –  Adnan Merovci, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ka mbajtur sot një ligjëratë tematike para studentëve dhe mësimdhënësve të UBT-së në temën “Digjitalizimi në Kosovë”.

 

Në bashkëbisedim me studentët, z.Merovci ka folur lidhur me “Strategjinë për kalim në transmetim digjital tokësor në Republikën e Kosovës”, duke e elaboruar në detaje këtë proces të rëndësishëm, rreth të cilit është punuar një kohë të gjatë, ndërsa i tërë procesi është paraparë të përmbyllet deri më 17 qershor 2015.

 

Ky afat, i cili duket shumë i afërt, është përcaktuar nga Konferenca e Gjenevës, e cila për rajonin e Ballkanit e ka përcaktuar këtë afat, ndërkohë që ky proces në shtetet kryesore të Evropës është kryer në vitin 2012, ndërsa edhe disa shtete të rajonit kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt përmbylljes së procesit të digjitalizimit.

Tash për tash, “Strategjia për kalim në transmetim digjital tokësor në Republikën e Kosovës” është në fazën e diskutimit publik, ku të gjithë të interesuarit mund të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

Z.Merovci theksoi se, megjithëse krijohet ideja se në këtë proces në Kosovë janë krijuar vonesa, hapat në vazhdim, që varen nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës, mund të ndërmerren shumë shpejt dhe procesi mund të përmbyllet me kohë.

Kryetari i KPM-së, z.Merovci ka paraqitur gjithashtu para studentëve të dhëna rreth funksionimit të Komisionit, dhënies së licencave, lidhur me numrin e mediave që funksionojnë në Kosovë, për format e ndryshme të transmetimit e të dhëna të tjera me interes. 

 

Gjithashtu, z.Merovci foli edhe për një varg procesesh që duhet të kryejnë vetë mediat, siç është, për shembull, digjitalizimi i brendshëm e procese të tjera që ndikohen nga zhvillimet teknologjike, të cilat gjithsesi se ecin dhe zhvillohen gjithnjë më shpejt sesa legjislacioni përkatës që e rregullon fushën e funksionimit të mediave digjitale.

 

Ai gjithashtu numëroi edhe një varg përparësish që ofron digjitalizimi, përfshirë shtimin e kanaleve, rritjen e kualitetit, shërbime dhe informata shtesë e përparësi të tjera. 

 

I themeluar në vitin 2005, Komisioni i Pavarur i Mediave është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. Në bazë të Ligjit Nr. 04/L-44, KPM-ja licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit, si dhe rregullon të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë, të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.