Ish-studentja Gresa Sheqiri, përfituese e bursës së programit “PoSIG”

13/09/2018

Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve evropiane nëpërmjet programit “PoSIG”, tashmë po i jep rezultatet e para, nga të cilat po përfitojnë drejtpërdrejt studentët dhe ish-studentët e UBT-së.

 

Studentja e posadiplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave Politike, Gresa Sheqiri, ka arritur që përmes këtij programi të fitojë bursë për vijim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Salsburgut, në Austri.

 

Gresa tha se është tejet e lumtur që e ka fituar këtë bursë, që do t’i ofrojë asaj një mundësi të mrekullueshme për ngritje akademike.

“Gjatë studimeve të mia në PoSIG do të fitoj njohuri të mjaftueshme për t’u përgatitur për sfidat gjatë karrierës sime të ardhshme. Kjo do të më ndihmoj në zgjerimin e njohurive të mia për çështje të ndryshme, si dhe për të mësuar proceset politike dhe sociale në Bashkimin Evropian dhe më gjerë”, theksoi ajo.

Ndërkohë, përgjatë gjithë procesit dhe për kryerjen me sukses të procedurave të aplikimit tregon se ka gjetur mbështetje dhe ka marrë udhëzime nga profesori në UBT, Artan Murati.

 

Përmes programit PoSIG, viti i parë përfundohet në njërin nga universitetet e Bashkimit Evropian, ku ofrohet një mësimdhënie e nivelit të lartë teorik dhe metodologjik, ndërsa viti i dytë përfundohet në njërin nga universitetet e Ballkanit Perëndimor, që u mundëson studentëve të bëhen të specializuar në çështjet që lidhen me integrimin e vendeve fqinje të BE-së, teksa në përfundim të këtij masteri përfshihet edhe praktika njëmujore në institucionet e BE-së.

 

Programi PoSIG është master i përbashkët në Shkenca Politike, Integrim dhe Qeverisje, që po jetësohet nga partnerët e Bashkimit Evropian  dhe të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast, studentëve u ofrohet mundësi unike studimi në institucionet më prestigjioze evropiane të arsimit të lartë, siç janë: Universiteti i Salzburgut në Austri, Universiteti i Pavias në Itali, Universiteti i Lubjanës në Slloveni etj.