BETA

Ish-studenti Alban Saliaga përfiton nga partneriteti ndërkombëtar i UBT-së

10/09/2018

Ish-studenti i Fakultetit Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë, Alban Saliaga e ka shfrytëzuar mundësinë e vazhdimit të studimeve jashtë vendit, konkretisht në Itali, falë rrjetit të gjerë të bashkëpunimeve ndërkombëtare që e posedon UBT.

 

Që nga 10 shtatori, Albani edhe zyrtarisht do të fillojë ciklin e ligjëratave në Universitetin Politeknik të Milanos, sukses ky i arritur falë aftësive të tij dhe bashkëpunimit e ndihmës së ofruar nga profesorët e tij në UBT.

“Tek profesorët e mi kam gjetur mbështetje të madhe, veçanërisht tek dekani Muhamet Ahmeti dhe prodekani Visar Krelani, të cilët më ndihmuan në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim”, tregoi ai, teksa shtoi se të njëjtën frymë bashkëpunimi e ka gjetur në UBT prejse ishte transferuar nga një universitet publik.

“Unë jam transferuar në UBT sepse më krijonte hapësirë për përmirësim dhe ofronte kushte për të arritur këtë gjë”.

 

Albani ishte edhe pjesë e grupit të studentëve të UBT-së, të cilët patën mundësinë e mbajtjes të praktikës njëmujore në kompaninë “Bechtel-Enka”.

 

Që nga themelimi e deri më sot, UBT ka arritur mbi 300 marrëveshje bashkëpunimi me institucione arsimore nga e mbarë bota dhe prej tyre kanë përfituar qindra studentë, të cilët janë bërë pjesë e programeve të shkëmbimit për një e më shumë semestra ose edhe për përfundim të plotë të studimeve jashtë Kosovës.