Hapet qendra për zhvillimin e talentëve “UBT Sport, E-Sport & Art Hub”

bool(false) 17/12/2021

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është hapur qendra më e re në vend e zhvillimit të talentëve të rinj në fushën e sportit, shkencave të lëvizjes, sportit elektronik dhe talentëve artistik “UBT Sport, E-Sport & Art Hub”.

 

I pranishëm në hapjen zyrtare të “UBT Sport, E-Sport & Art Hub”, ishte edhe prof.dr. Edmond Hajrizi, i cili tha se kjo qendër është një inovacion i radhës i UBT-së, që në qendër vë studentët të cilët kanë talent, e që do iu ndihmojë atyre në zhvillimin e aftësive në një nivel edhe më të lartë.

 

“Arsyeja dhe fokusi i këtij Hub-i vjen nga këndvështrimet dhe trendet që kemi në këtë pjesë. Mendojmë se tashmë janë krijuar kushtet në UBT, marrë parasysh se kemi një fakultet të sportit dhe shkencave të lëvizjes që është në fakt pjesë e arsimit të lartë, mirëpo edhe te arsimi i lartë edhe te shkenca nevojitet edhe zhvillimi edhe inovacioni, nevojitet një lloj qendre e përafërt ku mund të përfshihen fusha të ndryshme”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Në këtë Hub, studentët do të kenë mundësi që të zhvillojnë edhe më shumë aftësitë e tyre në një ekosistem të krijuar enkas për ta, që ka përfshirë gjenerimin e shumë dijeve duke filluar nga shëndetësia, disiplinat që merren me njeriun, shkencat neurale, aspektin psikologjik dhe fizik, duke krijuar një ndërlidhje unike me pjesën e sportit dhe arteve.

 

Përmes “UBT Sport, E-Sport & Art Hub”, UBT bashkë me Fakultetin Shkencat e Sportit dhe Lëvizjes, Kosovës do t’i ofrojë talentë të rinj në fusha dhe disiplina përkatëse, e që do të formohen profesionalisht brenda ambienteve të UBT-së, dhe do ta përfaqësojnë vendin denjësisht kudo nëpër botë.