Hajrizi: UBT për 15 vjet ekzistimi e kishte në fokus Kosovën

29/12/2016

Misioni dhe fokusi 15 vjeçar i UBT-së ka qenë Kosova, si në aspektin e plotësimit të nevojave dhe zbrazësive që e kanë lënë universitetet publike në fushën e edukimit e arsimit, ashtu edhe në përmbushjen e nevojave të industrisë dhe të tregut kosovar të punës. Ky konstatim ka dalë nga vetë themeluesi i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, në ceremoninë festive për nder të 15-vjetorit të themelimit të UBT-së, si dhe festave të fundvitit, të enjten.

“Gjatë këtyre 15 viteve, nuk kemi pasur asnjë koncentrim tjetër, përpos Kosovës dhe dëshirës së madhe për të qenë kontribuues në zhvillimin e vendit tonë”, ka vijuar rektori Hajrizi.

Duke folur për historikun e zhvillimit të UBT-së, ai tha se rrugëtimi drejt themelimit ka qenë i mbushur me vështirësi, sfida dhe suksese të vazhdueshme.

“Rruga jonë ka qenë e vështirë, sepse kemi nisur nga hiçi dhe kemi arritur që me sukses të rritemi dhe të zhvillohemi shëndetshëm, duke i mbledhur të mirat e arsimit botëror dhe duke i implementuar ato në institucionin tonë”, theksoi Hajrizi, për të shtuar se, “falë punës dhe angazhimit të vazhdueshëm, UBT është shndërruar në institucionin e parë arsimor në Ballkanin Perëndimor, që ka arritur nivelin e ekselencës”.

 

Tutje, rektori përmendi edhe sukseset e njëpasnjëshme të UBT-së, që nga koha e themelimit e deri më sot.

“UBT aktualisht numëron rreth 10 000 studentë aktivë, mbi 1000 njerëz, që si pjesë e stafit akademik, e kanë dhënë kontributin e tyre në rritjen e zhvillimin e këtij institucioni, si dhe mbi 250 marrëveshje me universitete dhe organizata ndërkombëtare”, potencoi Hajrizi, me ç’rast sipas tij, “e tërë kjo punë e përbashkët ka bërë që 98% e të diplomuarve ta gjejnë veten në tregun e punës”.

 

Për kontributin e dhënë në ngritjen e një institucioni të vlerësuar lart ndërkombëtarisht, stafi akademik i UBT-së, në shenjë falënderimi, ndau mirënjohje për rektorin Hajrizi. Ndërkaq, fill pas kësaj, rektori i nderoi me mirënjohje disa nga pjesëtarët e parë të stafit akademik, të cilët ndikuan në rritjen dhe ngritjen e cilësisë së UBT-së.

 

Duke folur për mirënjohjen e marrë, menaxheri i zyrës së financave në UBT, Selmon Berisha tha se njohja me rektorin Hajrizi dhe punësimi në UBT, ka bërë që jeta e tij të ndryshojë rrënjësisht.

“Jam shumë me fat që kam pasur mundësinë të jem pjesë e UBT-së dhe të japë kontributin tim në zhvillimin e këtij institucioni prestigjioz”, përfundoi Berisha.

Ceremonia u përmbyll me një koktej rasti, organizuar me qëllim të argëtimit të stafit akademik dhe të ftuarve të tjerë në këtë ngjarje, teksa të gjithë të pranishmit u shpërblyen me dhurata modeste.