Ftohen studentët e UBT-së të marrin pjesë në Konferencën dhe Ekspozitën e Përbashkët Ballkanike

31/10/2017

E organizuar nga SHUKOS dhe SHUKALB, përkrahur edhe nga UBT, nesër, më 1 nëntor, do të fillojë punimet edicioni i pestë i Konferencës dhe Ekspozitës së Përbashkët Ballkanike , që këtë vit do të mbahet në Hotel Emerald, në Prishtinë dhe në të cilën ftohen të marrin pjesë të gjithë studentët e UBT-së, që janë të interesuar për pjesëmarrje në këtë ngjarje me interes të madh.

 

Temë kyçe e këtij edicioni do të jetë: “Sfida e ujërave të zeza”, temë kjo që do të sjellë vëmendjen në nevojën për investime të konsiderueshme kapitale dhe operacionale në grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza për mbrojtjen e shëndetit publik, si dhe mjedisin.


Krahas tjerash, në kuadër të konferencës do të organizohet edhe një forum me të rinj dhe studentë, ku do të trajtohet çështja e sfidave për zhvillim të karrierës në sektorin e ujit në Kosovë, në njërin prej sesioneve të të cilit do të ligjërojnë profesorët në UBT, Hazir Çadraku, Sokol Xhafa, i cili njëherësh është edhe kryetar i Grupit të Profesionisteve të Rinj, studentja e UBT-së, njëherësh edhe nënkryetare e këtij grupi, Ninëz Kosumi dhe profesori Ilir Abdullahu, i cili është drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, “Prishtina” dhe drejtor ekzekutiv i bordit të kompanisë SHUKOS.

 

Konferenca do të mbahet më 1-3 nëntor, teksa do të vazhdojë të ofrojë një platformë ku profesionistët e ujit, politikëbërësit dhe profesionistët e biznesit nga sektori, mund të mblidhen për të diskutuar çështje shqetësuese, për të bërë shkëmbimin e informacionit dhe për të shkëmbyer përvojat në një përpjekje për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të furnizimit me ujë dhe ujërave të zeza në rajonin e Ballkanit.

 

Për të marrë pjesë në këtë konferencë është i nevojshëm paraprakisht regjistrimi, i cili mund të bëhet në linkun: http://www.shukos.org/balkans-joint-conference.html, ku edhe mund t’i gjeni informacionet më të detajuara mbi këtë konferencë.