Filloi viti i ri shkollor 2023/24 në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët UBT

04/09/2023

Në një ambient frymëzues dhe mbresëlënës, u mirëpritën me ngrohtësi nxënësit e gjeneratës së parë të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët UBT, të cilët ishin përplot entuziazëm dhe gëzim për fillimin e vitit të ri shkollor 2023/24.

Nxënësit ishin kureshtarë dhe plot dëshira për të eksploruar botën e re të dijes dhe edukimit, për të fituar njohuri të reja, për të zhvilluar aftësitë e tyre, që në të ardhmen të ndikojnë pozitivisht në komunitetin ku jetojnë.

Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi i falënderoi nxënësit dhe prindërit e tyre për përzgjedhjen e UBT-së për të filluar një periudhë dhe aventurë të re shkollore, duke besuar në angazhimin e përbashkët drejt arritjeve të reja në arsim.

“Arsimi është drita që na udhëheq. Ne besojmë në potencialin e nxënësve, dhe jemi të përkushtuar në udhëheqjen e tyre drejt suksesit. Le të punojmë së bashku për të bërë ëndrrat e tyre realitet, sepse mbarësia vjen me vullnetin dhe mundësinë për të ndryshuar botën për të mirën tonë dhe të të gjithëve”, është shprehur Rektori Hajrizi.

Me një bashkëpunim të fortë midis mësuesve, prindërve dhe nxënësve, viti i ri shkollor në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët UBT do të shndërrohet në një periudhë të veçantë të arritjeve dhe zhvillimit personal. Nxënësit do të udhëhiqen nga dëshira e tyre për të mësuar dhe për të krijuar një të ardhme të ndritur dhe premtuese për veten dhe për shoqërinë.