Filloi ANV-ja e Stomatologjisë, shfaqet interesim i madh për temat e trajtuara

24/07/2018

Nisi punimet Akademia Ndërkombëtare Verore e Stomatologjisë, gjatë së cilës për disa ditë do të trajtohen tema jetike për mirëqenien e njeriut.

Një e tillë ishte edhe sot, me ç’rast konsulentja dhe trajnerja në zhvillimin e sistemit shëndetësor, Elizabeth Campestrini bëri bashkë edhe dy akademitë mjekësore, Farmacinë dhe Infermierinë.

Campestrini ligjëroi temën më titull “Gjinia dhe shëndeti”, në kuadër të së cilës trajtoi ndikimin e faktorëve të ndryshëm në shëndetin e njeriut, duke u përqndruar në analizat dhe promovimin e kualitetit të shëndetit të përgjithshëm tek të dyja gjinitë, duke marrë shembuj krahasimi mes SHBA-ve, Evropës dhe Kosovës.

Pas kësaj ligjërate, akademitë u ndanë dhe ajo e Stomatologjisë vijoi me ligjëratën e dr Burim Kiseri, i cili u fokusua tek tema “Menaxhimi i sëmundjeve të nofullave”, me ç’rast e njëjta u shoqërua edhe me video të cilat e bënë më të kapshme atë për çka po ligjërohej.

Temë që ngjalli interesim të madh tek pjesëmarrësit ishte edhe ajo e ligjëruesve, Besian Qerkini dhe Ebru Mehmeti, të cilët ligjëruan për temën më titull: “Metodat bashkëkohore, një alternativë e terapisë ortodontike për drejtimin e dhëmbëve”.
Ligjëruesit u fokusuan tek historiku dhe aplikimi i aparaturës lëvizëse “NUVOLA”, si metodë alternative bashkëkohore e terapisë ortodontike për drejtimin e dhëmbëve.