Dhjetëra të rinj entuziastë hakojnë në garën për siguri kibernetike “Hack Day Kosova 2018”

12/10/2018

Hakerë të shumtë nga Kosova dhe rajoni, në mënyrë individuale dhe grupore, i janë bashkuar edicionit të tretë të garës më të madhe në vend për siguri kibernetike “Hack Day Kosova 2018”, që zhvillohet nën organizimin e divizionit UBT-CERT.

Dita e dytë e këtij aktiviteti është mbajtur në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ku zhvilloi punimet gara për siguri kibernetike, garë në të cilën pjesëmarrësit identifikuan dobësitë në infrastrukturën fizike dhe virtuale të sistemeve të ndryshme, hakimin e infrastrukturës WI-FI, të dhëna dhe ueb aplikacione, si dhe hakimin fizik të pajisjes kompjuterike.

Ata gjatë tërë ditës tentuan të gjejnë mangësi në sistemin e sigurisë, derisa të shtunën më 13 tetor, pas vlerësimit të dhënë nga juria profesionale do të ndahen çmimet për fituesit dhe certifikatat për pjesëmarrësit.

Aktiviteti treditor “Hack Day Kosova 2018”, është organizuar për nder të Muajit Evropian për Siguri Kibernetike dhe bartë mesazh ndërgjegjësues për sigurinë kibernetike në shtetin e Kosovës.

Si i tillë, aktiviteti ka ngjallur interesim edhe nga bizneset dhe organizatat e ndryshme, që po e mbështesin në forma të ndryshme këtë garë.

UBT është lider rajonal në fushën e fushën e Shkencave Kompjuterike, Sistemeve të Informacionit dhe jo vetëm, i cili çdo vit merr përsipër organizimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të tilla të rëndësishme dedikuar sigurisë kibernetike.