Delegacioni i UBT-së zhvillon vizitë zyrtare në Universitetin Trakya në Turqi

15/04/2025

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare akademike dhe shkencore, një delegacion i UBT-së, i përbërë nga Dekani i Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Fisnik Laha, dhe Drejtori i Institutit të Shkencave Forenzike, Prof. Dr. Cengiz Çesko, zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin Trakya në Edirne, Turqi, ku u prit nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Mustafa Hatipler.

Takimi u fokusua në vlerësimin e bashkëpunimit ekzistues ndërmjet dy institucioneve dhe shprehjen e vullnetit të ndërsjellë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, siç janë biokimia mjekësore, bioteknologjia dhe shkencat forenzike.

Gjatë diskutimeve u trajtuan mundësitë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, lëvizshmërinë e studentëve dhe stafit akademik, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta si seminare, punëtori shkencore dhe konferenca ndërkombëtare. UBT dhe Universiteti Trakya theksuan rëndësinë e bashkëpunimeve afatgjata që ndikojnë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe shkencës, por edhe në zhvillimin institucional dhe rajonal.

Rektori Hatipler vlerësoi lart përkushtimin e UBT-së për inovacion dhe ndërkombëtarizim në arsim, duke theksuar se bashkëpunimet ndëruniversitare janë thelbësore për përparimin shkencor dhe integrimin global të dijes. Në të njëjtën frymë, përfaqësuesit e UBT-së shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe konfirmuan gatishmërinë për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe ekspertizë në nivel institucional.