Arrita Deva, fituese e çmimit të ndarë nga Ambasada Britanike

29/03/2017

Ish-studentja e UBT-së në Fakultetin e Shkencave politike, tashmë pjesë e Universitetit të Varshavës, Arrita Deva ka fituar çmimin prestigjioz të Ambasadës Britanike në Prishtinë, për qytetari aktive, në mesin e 356 personave tjerë të nominuar.

 

Baza e këtij vlerësimi ishte projekti i iniciuar nga Demokracia për Zhvillim (D4D) dhe YMCA, në Kosovë, projekt ky që ka të bëjë me kontributin e dhënë në shoqëri, përmes mbledhjes së fondeve të pafundme, në mënyrë që të ofrohet ndihmë për familjet në nevojë, përmes sigurimit të ushqimit, renovimit të objekteve të banimit, veshmbathjeve etj.

 

Fituesja e këtij çmimi, Arrita Deva tha se ky çmim është një vlerësim i punës që po e kryen me plot vullnet dhe pasion.

 

“Këtë punë e bëj sepse dua që në shoqërinë kosovare, mos të ketë dallime të atilla që, mund të eliminohen nga vetë ne”, theksoi ajo, për të shtuar se një gjë të tillë e ka mësuar në familje, në shkollë dhe në institucionin ku ka studiuar.