Drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT, Shqiprim Ahmeti mori pjesë në panairin e festivalit mbarëkombëtar “eJONA” në Gjilan

29/07/2022

Në kuadër të panairit dhe festivalit mbarëkombëtar “eJONA”, në komunën e Gjilanit, është mbajtur paneli me temën “Potenciali dhe mundësitë e investimeve në komunën tonë”, ku morën pjesë kryetarët e komunave: të Gjilanit, Kamenicës, Shtimes, Tetovës dhe zëvendëskryetari i Preshevës, rektori i Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, si dhe drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT, Shqiprim Ahmeti.

 

Në këtë panel është diskutuar rëndësia e bashkëpunimit të institucioneve vendimmarrëse me universitetet dhe akademinë, teksa drejtori Shqiprim Ahmeti ka folur për rëndësinë që ka planifikimi i mirëfilltë hapësinor dhe urban për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke theksuar se në këtë mënyrë mund të krijohet një urë lidhëse në mes eksplorimit të potencialit real zhvillimor, si dhe shfrytëzimit efikas dhe të qëndrueshëm të këtij potenciali.

 

Ai pastaj u fokusua tek resurset dhe potencialin real zhvillimor që ka komuna e Gjilanit, duke theksuar se për kapitalizimin e këtij potenciali fillimisht duhet të përfundojë ndërtimi i infrastrukturës së vrazhdë (hard infrastructure) duke përfshirë Zonën Ekonomike, Autostradën Prishtinë – Gjilan, si dhe qendrat e trajnimit dhe edukimit gjatë gjithë jetës (life – long education).

 

“Investimi në infrastrukturën e butë (soft infrastructure) e cila kalon përmes përdorimit të teknologjisë dhe mundësive që ajo ofron, është rruga tjetër paralele që duhet ndjekur për këtë qëllim” ka theksuar Ahmeti.

 

Në këtë kuptim, ai u fokusua në rëndësinë e konceptit Smart Economy, e cila para së gjithash kërkon shtimin e përdorimit të teknologjisë për R&D, shtim të mundësive për ndërmarrësi dhe shtim të konkurrencës, trajnime dhe edukim tërë jetësor, brendim të shërbimeve dhe brendim të turizmit, si dhe bashkëpunim regjional dhe bashkëpunim ndër-kufitar.

 

Ai në fund ka ndarë lajmin se UBT është në fazën e përgatitjes së Strategjisë “Smart City” për Gjilanin, e cila, ndër të tjera synon të hartojë udhërrëfyesin për zhvillim të mençur ekonomik për komunën, duke ofruar propozime konkrete për kapitalizimin e potencialit real zhvillimor që ka kjo e fundit.