Rektori Hajrizi vizitoi Komunën e Podujevës

18/08/2023

Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i shoqëruar nga Drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT Shqiprim Ahmeti ka zhvilluar një vizitë në komunën e Podujevës ku është pritur nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi me bashkëpunëtorë.

Qëllim i vizitës dhe temë diskutimi në takim ishte bashkëpunimi i akademisë/universiteteve me pushtetin lokal me qëllim të shtimit të aktiviteteve të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritjes së cilësisë së jetesës për qytetarët.

Në takim u diskutua nevoja dhe mundësitë reale të digjitalizimi të shërbimeve dhe sektorëve si arsimi e shëndetësia, mbrojtja e mjedisit e menaxhimi i mbeturinave, zhvillimi i sektorit të ICT-së dhe inovacionit, si dhe krijimi i mundësive dhe hapësirave për punë praktike për studentë.

Palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të akademisë/universiteteve dhe pushtetit lokal, të bazuar në shfrytëzimin e potencialit njerëzor e intelektual të dyanshëm, ndërsa Rektori Hajrizi shprehi edhe një herë gatishmërinë e UBT-së që me kapacitetet, resurset dhe infrastrukturën e vet të ndihmojë komunën në implementimin e agjendës së saj për zhvillim të qëndrueshëm lokal.