UBT përmbyll edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare, duke bashkuar mbi 3,000 pjesëmarrës nga e gjithë bota

25/10/2026

Me shkëmbim të dijes, prezantim të hulumtimeve shkencore dhe forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar, UBT ka përmbyllur me sukses edicionin e 15-të të Konferencës Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij si një nga platformat më të rëndësishme akademike në rajon.

Konferenca mblodhi mbi 3,000 pjesëmarrës, përfshirë akademikë, studiues, ekspertë të fushave të ndryshme, profesionistë dhe studentë nga dhjetëra vende të botës, duke e shndërruar UBT-në në një pikëtakim të rëndësishëm të ideve, përvojave dhe perspektivave ndërkombëtare.

Gjatë ditëve të zhvillimit, Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së në Lipjan u bë hapësirë e diskutimeve shkencore, prezantimeve kërkimore dhe debateve mbi zhvillimet që po e formësojnë të ardhmen e shoqërisë. Përmes më shumë se 24 konferencave të specializuara dhe ndërdisiplinare, pjesëmarrësit trajtuan tema që përfshijnë inteligjencën artificiale, teknologjinë, mjekësinë, arkitekturën, ekonominë, psikologjinë, edukimin, drejtësinë, inxhinierinë, komunikimin, median dhe shëndetin publik.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua ndërthurjes së kërkimit shkencor me nevojat e industrisë dhe zhvillimet shoqërore, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve akademike, profesionistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në ceremoninë përmbyllëse, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi angazhimin e pjesëmarrësve, organizatorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të kësaj tradite akademike dhe të krijimit të hapësirave të reja për zhvillimin e shkencës dhe inovacionit.

“Përmbyllja e këtij edicioni është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e përkushtimit tonë për të krijuar një mjedis ku dija, kërkimi shkencor dhe inovacioni shndërrohen në vlera konkrete për shoqërinë. UBT do të vazhdojë të investojë në ndërkombëtarizimin e arsimit dhe në fuqizimin e Kosovës si një destinacion i rëndësishëm për shkencën dhe zhvillimin akademik”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Përgjatë konferencës, studiues nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia dhe rajoni i Ballkanit prezantuan rezultate kërkimore, analiza dhe qasje të reja për sfidat bashkëkohore, duke kontribuar në zgjerimin e perspektivave shkencore dhe në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit.

Programi përfshiu konferenca të veçanta në fusha si inxhinieria ndërtimore, shkencat mjekësore, infermieria dhe psikologjia, ekonomia dhe menaxhmenti, arkitektura dhe planifikimi hapësinor, edukimi, komunikimi dhe media, si dhe mjedisi, energjetika dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Përtej prezantimeve dhe diskutimeve akademike, edicioni i 15-të krijoi mundësi për shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e ideve të reja dhe krijimin e partneriteteve që mund të shërbejnë si bazë për projekte të ardhshme kërkimore dhe profesionale.

Me përmbylljen e këtij edicioni, UBT riafirmon përkushtimin për avancimin e kërkimit shkencor, promovimin e inovacionit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e vendosur Kosovën gjithnjë e më shumë në hartën e aktiviteteve akademike dhe shkencore të përmasave globale.