Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutojnë cilësinë, qëndrueshmërinë dhe inovacionin në ditën e dytë të Kongresit EOQ 2026

23/10/2026

Në kuadër të ditës së dytë të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), që po mbahet në UBT, u zhvilluan diskutime dhe prezantime mbi rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, qytetet e mençura, mjedisin e ndërtuar dhe qëndrueshmërinë ekonomike e financiare.

Sesionet bashkuan ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe drejtues të sektorit financiar, duke trajtuar sfidat dhe mundësitë që sjellin transformimi digjital, inovacioni dhe zbatimi i standardeve të cilësisë në sektorë të ndryshëm.

Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar Sesioni “Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar” u udhëhoq nga Prof. Dr. Visar Hoxha. Diskutimet u përqendruan në planifikimin hapësinor, ekonominë qarkore, infrastrukturën rezistente ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e hapësirave urbane të qëndrueshme.

Gjatë sesionit u prezantuan këto tema:

Valbone Dushi – “Cilësia dhe qëndrueshmëria: rritja e përgjegjshme, ekonomia qarkore dhe kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG)”.

Prof. Dr. Visar Hoxha, UBT – “Cilësia në patundshmëri dhe mjedisin e ndërtuar: krijimi i vlerës së qëndrueshme në qytetet e mençura”.

Prof. Dr. Alban Kuriqi, UBT – “Uji, klima dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës: zbatimi i standardeve të cilësisë inxhinierike për sisteme të qëndrueshme”. Dr. José Pedro Teixeira Domingues, nënkryetar i Shoqatës Portugeze për Cilësi (APQ) dhe përfaqësues i Universitetit të Minhos – “Cilësia në një pikë kthese: ndërlidhja e kulturës, qëndrueshmërisë dhe inovacionit digjital”. Prof. Dr. Binak Beqaj, UBT – “Cilësia e hapësirave, sistemet urbane dhe mjedisi i qëndrueshëm i ndërtuar”.

 

Prezantimet theksuan rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë në planifikimin urban, zhvillimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e mjedisit, duke synuar krijimin e hapësirave funksionale, të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv në cilësinë e jetës.

Në kuadër të programit të Kongresit u trajtuan gjithashtu tema që lidhen me cilësinë financiare, besimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, me fokus në stabilitetin e sistemit financiar, transformimin digjital të bankave, menaxhimin e rrezikut dhe zhvillimin e shërbimeve financiare inovative.

Në këtë kuadër u prezantuan këto tema: Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv i BKT Kosova – “Cilësia, inovacioni dhe shërbimet bankare të orientuara drejt klientit”. Prof. Dr. Shpresim Vranofci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe moderator i forumit – “Inteligjenca artificiale, teknologjia financiare (FinTech) dhe sigurimi i cilësisë në të ardhmen e shërbimeve financiare”.