Rektori Hajrizi takon studenten e UBT-së, Era Deva, gjatë qëndrimit në Korenë e Jugut
09/10/2026Në kuadër të qëndrimit në Korenë e Jugut, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka takuar studenten e UBT-së, Era Deva, e cila po përfundon studimet master në Menaxhimin e Sportit në Seul.
Gjatë takimit, Rektori Hajrizi u interesua për ecurinë e studimeve të saj, përvojën akademike dhe jetën studentore në Korenë e Jugut, duke vlerësuar rëndësinë e përvojave ndërkombëtare në avancimin akademik dhe zhvillimin profesional të studentëve.
Takimi ishte një mundësi për të diskutuar mbi përvojën e Erës në një mjedis të avancuar akademik dhe mundësitë që studimet jashtë vendit ofrojnë për zgjerimin e njohurive, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe krijimin e perspektivave të reja për karrierën e saj.
UBT i kushton rëndësi të veçantë ndërkombëtarizimit të arsimit dhe krijimit të mundësive që studentët të përfitojnë nga përvojat akademike ndërkombëtare, të shkëmbejnë njohuri dhe të zhvillohen në fusha të ndryshme profesionale. Përmes këtyre mundësive, UBT synon të mbështesë studentët në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional, duke nxitur mobilitetin ndërkombëtar dhe lidhjen me përvojat dhe praktikat bashkëkohore në nivel global.