Nis Akademia Verore e Fakulteteve të Shkencave Mjekësore, me fokus radiologjinë moderne dhe diagnostikimin e kancerit të gjirit

07/07/2026

Akademia Verore e Fakulteteve të Shkencave Mjekësore në kuadër të Global UBT Fest 2026 ka nisur punimet me një ceremoni hapëse të udhëhequr nga Prof. Dr. Fitim Alidema, Dekan i Fakulteteve të Shkencave Mjekësore, i cili u uroi mirëseardhje studentëve, profesorëve, profesionistëve të shëndetësisë dhe pjesëmarrësve të interesuar për zhvillimet më të reja në fushën e mjekësisë dhe kujdesit shëndetësor.

Ceremonia dhe aktivitetet e ditës së parë krijuan një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, përvojave profesionale dhe diskutimin e avancimeve shkencore në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve komplekse, me theks të veçantë në rolin e mjekësisë nukleare në menaxhimin e pacientëve me sëmundje onkologjike.

Në kuadër të programit të ditës së parë, Prof. Edita Bajraktari ligjëroi me temën “Roli i Radiologut në Prevenimin e Sëmundjeve Kancerogjene në Kujdesin Parësor”, ku trajtoi rëndësinë e radiologjisë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, rolin e radiologut në kujdesin parësor shëndetësor dhe ndikimin e diagnostikimit të hershëm në përmirësimin e rezultateve të trajtimit.

Po ashtu, Prof. Edita Bajraktari prezantoi ligjëratën “Metodat Moderne të Diagnostifikimit të Kancerit të Gjirit”, duke u fokusuar në teknikat bashkëkohore të diagnostikimit, rëndësinë e ekzaminimeve të avancuara dhe zhvillimet e fundit që kontribuojnë në identifikimin e hershëm dhe trajtimin më efikas të kësaj sëmundjeje.

Në sesionin vijues u trajtua tema “Inteligjenca Artificiale në Mamografi dhe Diagnostikimin e Kancerit të Gjirit”, ku u diskutua ndikimi i inteligjencës artificiale në analizën e imazheve mamografike, rritjen e saktësisë diagnostikuese dhe mbështetjen e profesionistëve shëndetësorë në vendimmarrjen klinike.

Gjatë ligjëratave u zhvilluan diskutime interaktive me pjesëmarrësit, të cilët patën mundësi të parashtrojnë pyetje, të ndajnë përvoja dhe të diskutojnë mbi sfidat aktuale të mjekësisë moderne, rëndësinë e inovacionit shkencor dhe përdorimin e teknologjive të avancuara në shërbim të shëndetit publik.

Akademia Verore e Fakulteteve të Shkencave Mjekësore do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, diskutime profesionale dhe aktivitete edukative, duke ofruar një platformë të rëndësishme për zhvillimin akademik të studentëve, forcimin e njohurive profesionale dhe promovimin e kërkimit shkencor në fushën e shëndetësisë.