Në UBT u mbajt Konferenca për Lidership me fokus qeverisjen e inovacionit dhe Inteligjencën Artificiale
03/07/2026Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u mbajt Konferenca për Lidership, e organizuar me temën “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”. Konferenca bëri bashkë liderë institucionalë, përfaqësues të industrisë, studiues dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar ndikimin e Inteligjencës Artificiale në qeverisje, ekonomi, arsim dhe zhvillimin e institucioneve.
Konferencën e hapi Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi se transformimet teknologjike kërkojnë modele të reja të lidershipit, të mbështetura në inovacion, vizion dhe përgjegjësi. Ai nënvizoi se udhëheqja moderne duhet të evoluojë paralelisht me zhvillimet teknologjike, duke krijuar institucione më efikase dhe më të përgatitura për sfidat e së ardhmes.
“Lidershipi ka evoluar gjithë kohën shumë dhe gjithë kohën ka pasur kërkesa për një lidership më ndryshe, me një qasje më ndryshe në revolucione të ndryshme, prej asaj që të qenit më produktiv e duke kaluar te komponentët e tjerë që shpjegohen edhe nga ekspertët e ndryshëm. Unë mendoj që na duhet një lidership i fuqizuar, i cili mbështetet edhe në transformimet e fundit teknologjike”, u shpreh Hajrizi.
Në këtë kuadër, Rektori Hajrizi ka shpjeguar rëndësinë e përshtatjes së udhëheqjes me dinamikat e reja.
Sipas tij, kërkesat e kohës kërkojnë kalimin drejt metodave më produktive dhe integrimin e komponentëve të avancuar që po diktohen nga zhvillimet globale. Ai nënvizoi se përballë këtyre sfidave, shoqërisë dhe industrisë i nevojitet një model i ri i lidershipit, i cili duhet të jetë i fuqizuar dhe i bazuar plotësisht mbi transformimet e fundit teknologjike për të garantuar progres dhe efikasitet.
Pjesë e kësaj konference ishte edhe ligjëruesi i UBT-së nga Universiteti i Harvardit, Profesori Faton Limani, i cili u ndal te pesha historike e inovacioneve aktuale.
“Përgjatë historisë, shoqëritë janë transformuar nga zbulime të rëndësishme që kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Shtypshkronja, energjia elektrike, interneti, teknologjia celulare – secili prej këtyre inovacioneve rimodeloi ekonomitë, institucionet dhe ndërveprimin njerëzor. Sot, ne qëndrojmë në fillim të një transformimi tjetër. Inteligjenca artificiale nuk është më një mundësi e së ardhmes. Ajo tashmë po merr vendime që ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Ajo rekomandon atë që lexojmë, ndikon në vendimet financiare, ndihmon mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve, mbështet institucionet publike në alokimin e burimeve dhe po transformon edukimin, transportin e prodhimin”, shprehet Limani.
Profesor Limani shpjegoi se ashtu si zbulimet e mëdha të së kaluarës si shtypshkronja, rryma dhe interneti që ndryshuan strukturat ekonomike e sociale, sot njerëzimi po përballet me një epokë të re transformimi të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale. Ai tërhoqi vëmendjen se kjo teknologji ka pushuar së qeni një projekt i largët i së ardhmes, pasi ndikimi i saj është i pranishëm në jetën e përditshme, duke filluar nga sugjerimet e thjeshta të leximit e deri te vendimmarrja në financa, mjekësi, arsim, transport dhe në politikat e institucioneve publike.
Në këtë konferencë, një kontribut të rëndësishëm dha edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Dr. Ahmet Ismaili, i cili vuri theksin te rëndësia e këtij diskutimi dhe sfidat që kjo teknologji sjell për institucionet rregullatore.
“Në këtë vazhdën e kompleksitetit dhe të panjohurave, edhe inteligjenca artificiale sigurisht është një faktor i rëndësishëm. Kështu që ndërlidhja mes këtyre dy temave është e qëlluar dhe është në kohë. Për bankat qendrore, inteligjenca artificiale nuk është vetëm një zhvillim teknologjik, ajo është gjithashtu një sfidë e qeverisjes, sfidë e besimit dhe sfidë e lidershipit”, tha Ismaili.
Më tej, duke u ndalur te roli dhe përgjegjësia e udhëheqësve përballë këtij hapi teknologjik, Guvernatori Ismaili shtoi se “Në këtë mjedis, lidershipi nuk matet vetëm me aftësinë për ta përfaqësuar inovacionin, por edhe me aftësinë për ta qeverisur atë me përgjegjësi, për të menaxhuar rreziqet në mënyrë efektive dhe për të siguruar që progresi teknologjik të jetë në dobi të shoqërisë në tërësi”.
Përmes këtyre deklaratave, kreu i BQK-së shpjegoi se bashkimi i temës së lidershipit me atë të inteligjencës artificiale është një hap tejet aktual, duke sjellë si shembull edhe takimet e fundit të nivelit më të lartë të bankave qendrore botërore.
Në sesionin e parë, “Qeverisja e Inovacionit në Institucionet Publike”, ekspertët diskutuan mbi sfidat e transformimit digjital, sigurinë kibernetike, menaxhimin e të dhënave dhe rolin e lidershipit në zbatimin e teknologjive të reja. Prof. Dr. Blerton Abazi, Prof. Florin Aliu dhe Prof. Agron Hamiti ndanë përvojat dhe rekomandimet e tyre mbi mënyrën se si institucionet duhet të përgatiten për një epokë të dominuar nga Inteligjenca Artificiale, ndërsa paneli u moderua nga Meli Limani.
Pjesë e panelit, Prof. Dr. Blerton Abazi – Dekan i Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT, vuri në dukje se valët e shpejta të inovacionit gjatë dekadës së fundit kanë ndryshuar rrënjësisht terrenin operacional. Profesor Abazi tërhoqi vëmendjen se sistemet e vjetra nuk ishin projektuar me mendësinë e mbrojtjes kibernetike ndaj këtyre sfidave dhe kërkoi që fokusi të zhvendoset drejt lidershipit.
“Që nga viti 2013 e këtej, ne kemi pasur disa ndryshime të mëdha, si Internet of Things, Cloud Computing, Data Science, siguria kibernetike dhe së fundi inteligjenca artificiale. Ne zakonisht diskutojmë për aspektin e implementimit teknik, e shumë pak për aspektin e lidershipit dhe përdorimit sa më të mençur të këtyre sistemeve”, shprehet Abazi.
Në të njëjtën linjë, panelisti dhe profesori i UBT-së, Florin Aliu, potencoi se rrugëtimi teknologjik ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë, duke kulmuar sot me Inteligjencën Artificiale.
Profesor Aliu ftoi për më shumë maturi, duke argumentuar se e ardhmja mbetet e panjohur sepse varet nga vendimet njerëzore, dhe se të dhënat apo teknologjia nuk e zëvendësojnë dot qeverisjen e duhur.
“E ardhmja është e panjohur sepse varet nga vendimet e qeverive dhe njerëzve. Kush mund ta parashikonte krizën financiare të viteve 2008-2009 në SHBA, edhe pse atje janë universitetet dhe kërkuesit më të mirë? Inteligjenca artificiale po përmirëson disa gjëra, por le të mos mbështetemi verbërisht tek ajo sepse ka edhe efekte anësore”, tha Aliu.
Nga këndvështrimi institucional, drejtori i Departamentit të TI-së në ATK, Prof. Agron Hamiti, nënvizoi se procesi i digjitalizimit nuk lë hapësirë për ngurrim, por kërkon një përgatitje të thellë të strukturës organizative dhe menaxhimit të të dhënave. Ai bëri të ditur se po hidhen hapat e parë konkretë për krijimin e një divizioni të dedikuar posaçërisht për inteligjencën artificiale.
“Digjitalizimi nuk lë vend për ngurrim. Ne kemi hartuar dokumente që gjenerohen prej strategjisë së përgjithshme, ku një prej tyre është ajo për menaxhimin e të dhënave. Kemi bërë edhe freskimin e strukturës organizative dhe parashohim krijimin e një divizioni që do të merret veçanërisht me pjesën e inteligjencës artificiale (AI)”, sipas Hamiti.
Pas sesionit të rrjetëzimit, konferenca vijoi me panelin “Qeverisja e Inteligjencës Artificiale në Biznes dhe Ekosistemet e Inovacionit”, ku u diskutua ndikimi i AI-së në transformimin e industrisë, sipërmarrjes, shëndetësisë dhe zhvillimit ekonomik. Në këtë panel kontribuan Mimoza Kusari-Lila, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Prof. Dr. Muhamet Gërvalla dhe Prof. Asoc. Dr. Besnik Qehaja, ndërsa diskutimi u moderua nga Elinda Krasniqi.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vuri në dukje se inovacioni dhe teknologjia kanë ecur shumë më shpejt se rregullimet ligjore, duke krijuar një hendek të madh që kërkon adresim të menjëhershëm përmes politikave publike. Ajo theksoi se për herë të parë dikasteri i saj ka marrë portofolin e inovacionit, duke synuar ndërlidhjen më të mirë të institucioneve me sektorin privat.
“Ne jemi në mesin e konceptualizimit dhe ndërlidhjes së funksionimit të inteligjencës artificiale, inovacionit, politikave publike dhe aplikimit e inkurajimit të sektorit privat për përdorimin e tyre. Kam ndjerë se për herë të parë e kemi një sektor ku hendeku ndërmjet politikave publike dhe sektorit privat është më i madhi ndonjëherë, sepse inovacioni, teknologjia informative dhe çdo gjë që lidhet me konceptin e zbulimeve dhe kreativitetit ka ecur shumë më shpejt, pa qenë domosdoshmërisht e rregulluar”, u shpreh Kusari-Lila.
Në rrafshin akademik, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u ndal tek impakti që ka përhapja e shpejtë e dijes kognitive globale mbi universitetet.
Sipas tij, kjo periudhë transformimi nuk rrezikon ekzistencën e institucioneve arsimore, por shërben si një momentum për të reflektuar mbi rolin e tyre të ri, që duhet të jetë ai i një nxitësi dhe koordinuesi kryesor në ekosistemin inovativ.
“Impakti i inteligjencës artificiale apo i një dije të përgjithshme kognitive globale, e cila tashmë është e qasshme, shtron në pikëpyetje proceset e mëparshme klasike dhe tradicionale të formatit sesi institucionet kanë jetuar. Pozicioni i universiteteve është duke u shtruar në pikëpyetje, jo në kuptimin negativ, por si një momentum për të reflektuar dhe për t’u transformuar në të ardhmen. Nuk është në pyetje ekzistenca e universitetit, por roli dhe formati i tij që të ketë sa më shumë impakt”, theskoi Hajrizi.
Nga këndvështrimi i zhvillimit të bizneseve, Dekani i Fakultetit të Menaxhimit, Biznesit dhe Ekonomi, Muhamet Gërvalla, shpjegoi se si globalizimi dhe IA po thyejnë barrierat gjeografike. Ai theksoi se epoka e re kërkon që kompanitë të ndryshojnë mendësi, duke lëvizur nga fokusi i thjeshtë tek burimet e veta të brendshme, drejt krijimit të shërbimeve të personalizuara dhe kuptimit digjital të klientit.
“Inteligjenca artificiale është një nga mundësitë e arta të cilat duhet t’i shfrytëzojnë bizneset, në mënyrë që ato fillimisht të udhëhiqen në aspektin e mendësisë, duke filluar prej krijimit apo përcaktimit të strategjisë së tyre biznesore e pastaj në atë operacional. Sot ka ndryshuar qasja, nuk është e mjaftueshme ajo formë e vjetër e operimit. Bizneset duhet të transformohen në atë kuptim që të njohin interesat e klientëve dhe të krijojnë një personalizim virtual të individit”, sipas Gërvalles.
Ndërkaq, sfidat praktike të mungesës së të dhënave të integruara në Kosovë u adresuan nga Besnik Qehaja, Dekan i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT. Ai mori si shembull sistemin shëndetësor, ku vuri në dukje se pa pasur platforma që mbledhin dhe gjenerojnë informata të plota, është mjaft e vështirë të krijohen modele për vendimmarrje të bazuara në inteligjencën artificiale, duke prekur këtu edhe aspektet etike të sigurisë.
“Mungesa e informatave për shkak të sistemeve që nuk janë të integruara na bën pak më të disfavorshëm në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe etikën, por edhe në aspektin e vendimmarrjes. Për momentin, pa pasur të dhëna të gjeneruara, nuk mundemi t’i ideojmë ose t’i krijojmë modelet për vendimmarrje duke u mbështetur në inteligjencën artificiale. Megjithatë, sistemet janë në implementim e sipër dhe falë inteligjencës artificiale ato do të implementohen më shpejt”, u shpreh Qehaja.
Në këtë konferencë pjesëmarrës ishte edhe Prof. Dr. Lorenc Ekonomit, Rektor i Universitetit “Fan S. Noli”, në Korçë.
Konferenca u përmbyll me një sesion interaktiv të lidershipit, të udhëhequr nga Gerta Uruçi-Limani, e cila trajtoi dimensionet bashkëkohore të udhëheqjes në epokën e Inteligjencës Artificiale. Në vijim, Prof. Faton Limani udhëhoqi një diskutim të hapur me pjesëmarrësit, ku u shkëmbyen ide dhe rekomandime mbi zhvillimin e modeleve të reja të lidershipit dhe qeverisjes së inovacionit.











