Nora Gjakova diplomon në UBT, duke e lidhur suksesin olimpik me shkencën e sportit

28/09/2026

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka përfunduar me sukses studimet në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.

Pas një karriere të jashtëzakonshme në skenën ndërkombëtare të xhudos, Nora Gjakova i ka shtuar rrugëtimit të saj edhe një tjetër arritje të rëndësishme atë akademike, duke përfunduar studimet universitare në një fushë të lidhur drejtpërdrejt me profesionin dhe pasionin e saj për sportin.

Gjatë studimeve në UBT, Gjakova ka trajtuar një temë diplome të ndërlidhur ngushtë me performancën sportive, rikuperimin dhe monitorimin e lodhjes te sportistët e xhudos.

Tema e punimit të saj të diplomës ishte: “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.

Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës, duke ndërthurur përvojën praktike të një prej sportisteve më të suksesshme të Kosovës me qasjen akademike dhe shkencore në fushën e sportit.

Nora Gjakova është një nga figurat më të njohura të sportit kosovar. Ajo ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, duke kulmuar me fitimin e medaljes së artë olimpike dhe duke kontribuar në historinë e sportit të Kosovës.

Përfundimi i studimeve në UBT përbën një tjetër kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e saj, duke dëshmuar se suksesi në sport mund të shoqërohet edhe me përkushtimin ndaj arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.

UBT uron Nora Gjakovën për këtë arritje të rëndësishme akademike dhe sportive, duke i dëshiruar suksese të reja në rrugëtimin e saj profesional dhe personal.