Rektori Hajrizi viziton AIT – Austria Institute of Technology në Vjenë
24/06/2026Në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vizitoi AIT – Austria Institute of Technology në Vjenë, një nga institucionet më të rëndësishme kërkimore dhe teknologjike në Evropë.
Gjatë vizitës në kampusin e AIT-së, delegacioni u njoh nga afër me projektet dhe teknologjitë më të avancuara në fushën e realitetit të zgjeruar (XR), inteligjencës artificiale dhe simulimeve për trajnim profesional dhe emergjent.
Fokus i veçantë i prezantimit ishte projekti “Green Manikin”, një platformë inovative e trajnimit XR për ekipet emergjente dhe paramedikët, si dhe projekti GAIN, i cili synon zhvillimin e trajnimeve kundër diskriminimit për ekipet e shpëtimit përmes teknologjive immersive dhe extended reality (XR).
Gjatë vizitës u diskutuan mundësitë për bashkëpunime të reja akademike, kërkimore dhe profesionale, me fokus në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në XR, inteligjencë artificiale, simulime dhe teknologji emergjente, por edhe fusha të tjera me interes. Rektori Hajrizi i njoftoi kolegët aty për UBT Smart City, si dhe për projektet e UBT-së në fushat e njëjta.