Ambasadori i Hungarisë në Kosovë viziton Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së

10/06/2026

UBT mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik në Lipjan Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, H.E. László István Dux, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare me fokus njohjen nga afër të ekosistemit akademik, shkencor dhe inovativ që UBT ka ndërtuar ndër vite.

Ambasadori hungarez u prit nga Rektori dhe Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me të cilin zhvilloi një takim lidhur me mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet UBT-së, institucioneve akademike hungareze dhe komunitetit të biznesit në Hungari.

Gjatë vizitës, Ambasadori Dux pati mundësinë të shohë nga afër infrastrukturën moderne të UBT-së, laboratorët bashkëkohorë, hapësirat e inovacionit, qendrat kërkimore dhe ambientet që mbështesin zhvillimin akademik, teknologjik dhe sipërmarrës të studentëve.

Rektori Hajrizi prezantoi para ambasadorit rrugëtimin e UBT-së, arritjet e universitetit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit, si dhe rolin që institucioni luan në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe inovacionit në Kosovë dhe rajon.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua mundësive për krijimin e partneriteteve të reja akademike dhe profesionale me universitete, institucione dhe kompani hungareze, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, zhvillimit të projekteve të përbashkëta dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Gjatë vizitës u konfirmua gjithashtu pjesëmarrja e Ambasadorit Dux në edicionin e ardhshëm të Global UBT Fest, ku ai do të mbajë një ligjëratë për studentët e programit të Shkencave Politike. Përmes kësaj ligjërate, studentët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga përvoja diplomatike dhe profesionale e ambasadorit, si dhe të diskutojnë tema që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë dhe bashkëpunimin evropian.