Rektori Hajrizi zhvillon takime strategjike në Global UBT London dhe nënshkruan marrëveshje me partnerë nga India
06/06/2026Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, zhvilloi një vizitë pune edhe në Londër, në ambientet e Global UBT London, një qendër e rëndësishme e ekosistemit ndërkombëtar të UBT-së, e krijuar për të fuqizuar bashkëpunimin global në arsim, teknologji dhe inovacion.
Gjatë qëndrimit në Londër, Prof. Dr. Edmond Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të kompanive dhe institucioneve nga vende të ndryshme të botës, me fokus zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit ndërkombëtar, krijimin e partneriteteve të reja strategjike, si dhe promovimin dhe shtrirjen globale të shërbimeve dhe produkteve inovative të Global UBT.
Në kuadër të këtyre takimeve, u nënshkrua edhe një marrëveshje e rëndësishme bashkëpunimi me partnerë nga India, e cila synon zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e digjitalizimit dhe aplikimit të inteligjencës artificiale për rritjen e produktivitetit shkencor, akademik dhe inovativ.
Marrëveshja parasheh gjithashtu bashkëpunim për promovimin dhe shpërndarjen e platformave digjitale të UBT-së në vendet e Azisë, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin teknologjik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Sipas Prof. Dr. Edmond Hajrizit, zgjerimi i pranisë së UBT-së në qendrat kryesore ndërkombëtare dhe krijimi i partneriteteve me institucione dhe kompani lidere globale përbëjnë elemente kyçe të strategjisë së internacionalizimit të UBT-së dhe të zhvillimit të ekosistemit të saj inovativ.
Kjo vizitë në Global UBT London përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të UBT-së në skenën globale të arsimit, teknologjisë, inovacionit dhe transformimit digjital.
