Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT dhe Europe House sjellin ligjëratë mbi raportimin e ndjeshëm gjinor dhe rolin e medias në shoqëri
07/04/2026Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për avancimin e edukimit medial dhe përgatitjen e gazetarëve të rinj, Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT, në bashkëpunim me Europe House dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, organizoi një ligjëratë dhe diskutim të hapur me studentët, me fokus në barazinë gjinore dhe raportimin e ndjeshëm gjinor.

Ky aktivitet mblodhi studentë të gazetarisë, psikologjisë, si dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për diskutim mbi rolin e mediave në trajtimin e çështjeve gjinore në shoqëri.
Ngjarja u hap nga Dekani i Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi, i cili theksoi rëndësinë e edukimit të gazetarëve të rinj mbi standardet profesionale dhe etike në raportim, veçanërisht në temat që lidhen me barazinë dhe përfaqësimin e drejtë gjinor.
Më pas, ligjëratën e mbajti Leonida Molliqaj, Drejtore Ekzekutive e organizatës QIKA, e cila trajtoi në mënyrë të detajuar konceptin e raportimit të ndjeshëm gjinor, sfidat që hasen në praktikën mediatike, si dhe rëndësinë e përdorimit të gjuhës së kujdesshme dhe përfaqësimit të drejtë në media.
Gjatë diskutimit, studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të ndajnë mendime mbi rastet konkrete nga mediat vendore, duke reflektuar mbi përgjegjësinë që kanë si gazetarë të ardhshëm në ndërtimin e një diskursi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet UBT dhe organizatave relevante, me synimin për të zhvilluar aktivitete të tjera në të ardhmen që trajtojnë tema me rëndësi për shoqërinë dhe profesionin e gazetarisë.

