Riakreditohen degët e UBT-së në Ferizaj dhe Prizren
27/03/2026UBT ka marrë vendimin e radhës për riakreditimin e degëve të tij në Ferizaj dhe Prizren, të cilët mbulojnë edhe rajonet përkatëse përreth këtyre qyteteve, pas vendimit më të fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke konfirmuar vazhdimësinë e funksionimit të tyre dhe standardet e larta akademike e organizative të institucionit.
Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në vazhdimësinë dhe konsolidimin e UBT-së në nivel vendi, duke garantuar vijimësinë e studimeve për studentët në këto zona dhe duke forcuar më tej qasjen në arsim cilësor.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e cilësoi këtë arritje si rezultat të punës së përbashkët dhe përkushtimit të vazhdueshëm të stafit dhe studentëve.
“Riakreditimi i degëve tona është dëshmi e standardeve që ne i ruajmë dhe i avancojmë vazhdimisht. Ky sukses vjen si rezultat i punës së palodhshme të stafit akademik dhe administrativ, si dhe i përkushtimit të studentëve tanë për të arritur rezultate të larta në studime”, u shpreh Hajrizi.
Ai shtoi se prania e UBT-së në qytete të ndryshme të Kosovës reflekton vizionin e institucionit për të qenë sa më afër studentëve dhe për të kontribuar në përgatitjen e kuadrove profesionale, në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
Përveç degëve në Kosovë, UBT ka gjithashtu degë dhe prani në qendra evropiane si Vjenë, Londër dhe Tiranë, duke zgjeruar mundësitë e studimeve ndërkombëtare për studentët e saj.