
Nisi Java e Leximit në UBT
10/02/2016Në kuadër të “Javës së Leximit” në UBT, aktivitet ky i organizuar nga Qendra e Karrierës, të martën u mbajt eventi i parë me qëllim të prezantimit të bibliotekës online, të cilën e posedon Kolegji UBT.
Profesori i UBT-së dhe njëri ndër organizatorët e këtij aktiviteti, Halil Bashota tha se për organizmin e këtij aktiviteti, ata janë frymëzuar nga studentët, të cilët shkaku i provimeve janë në fazën ku lexojnë më tepër se kurrë.
Ai tha se leximi nuk duhet të merret si diçka stresuese, por si diçka relaksuese dhe shumë i rëndësishëm. Më tutje, z. Bashota tregoi edhe për kapacitetin e bibliotekave të UBT-së, si online ashtu edhe atyre fizike. “UBT-ja është anëtare e bibliotekave online, në mënyrë që studentët të kenë qasje në librat, gazetat dhe revistat e ndryshme , për të cilat edhe paguajmë”, tha ai.
Një librari e këtij lloji është EBSCO, e cila përmban rreth 50.000 libra të profesioneve të ndryshme. Bashota duke treguar mënyrën e qasjes në këtë sistem tha se librat mund të ruhen për lexim të mëvonshëm, si dhe të shkarkohen, kurse qasje mund të kenë vetëm stafi dhe studentët e UBT-së.
Ai tha se në kohët e fundit është rritur interesimi i studentëve për përdorimin e librarive online si dhe atyre fizike, e kjo shihet si diçka shumë pozitive.
“Leximin duhet marrë si diçka tonën dhe si shprehi sepse leximi e relakson trurin dhe e zgjeron dijen tonë”, theksoi Bashota.