
Studentët e Fakultetit të Artit të UBT-së vizitojnë Institutin ARKIV në Pejë
24/11/2025Në kuadër të zhvillimit praktik dhe përfshirjes në hapësirat bashkëkohore të artit, studentët e Fakultetit të Artit dhe Media Digjitale të UBT-së realizuan një vizitë studimore në Institutin ARKIV në Pejë, ku aktualisht është e hapur ekspozita e artistit të njohur Jeton Gusia.

Instituti ARKIV funksionon si një qendër e artit bashkëkohor, e fokusuar në ekspozita, punëtori dhe rezidenca artistike, duke ofruar studentëve një mundësi të veçantë për t’u njohur me praktikat bashkëkohore vizuale dhe formate të ndryshme të prodhimit artistik.
Në vizitë morën pjesë studentë të programeve të Skulpturës (viti i parë), Instalacion Art (viti i dytë) dhe Projekti Individual (viti i tretë), të udhëhequr nga profesori Burim Berisha, të cilët patën mundësinë të ndërveprojnë direkt me hapësirën ekspozuese dhe të njihen me proceset krijuese të artit bashkëkohor.
Vizita, e organizuar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes UBT-së dhe Institutit ARKIV, ka për qëllim të fuqizojë zhvillimin krijues dhe profesional të studentëve, duke i dhënë mundësinë të përjetojnë nga afër standardet dhe praktikat e artit bashkëkohor.
Ky aktivitet pasuron përvojën e studentëve dhe përputhet me objektivat akademike të Fakultetit të Artit, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësi praktike dhe të krijojnë lidhje të reja në fushën e artit bashkëkohor.